Ka nisur protesta antiqeveritare përpara ndërtesës së Kryeministrisë, aty ku është mbledhur një grup me disa qindra qytetarë.
Kjo është dita e 174 e protestës, ndërsa edhe sot nuk kanë munguar tensionet mes pjesëmarrësve edhe forcave të rendit.
Policia nuk i lejon të qëndrojnë në rrugë, duke bllokuar kështu qarkullimin e makinave përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dhe herë pas here tenton t’i shtyjë në trotuar.
Protestuesit që nuk binden gjobiten apo edhe shoqërohen në komisariat.
Megjithatë, përveç tensioneve, duket se protesta sot ka patur edhe çaste festive, teksa organizatorët kanë surprizuar me një tortë për ditëlindjen gruan e moshuar që iu është bashkuar prej fillimit dhe tashmë identifikohet si “nona e revolucionit”.









