HomeOP EDAleancat politike ndërtohen mbi bazën e parimeve morale/nga Bujar Leskaj

Aleancat politike ndërtohen mbi bazën e parimeve morale/nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj

Një nga provat më të rëndësishme të karakterit të një force politike, aty ku vërtet duket se si ajo i respekton dhe zbaton parimet e saj, është mënyra se si ajo ndërton aleancat dhe mënyra se si i lidh ato, dhe mbi ç’kauza i ndërton këto aleanca.

Aleancat janë të domosdoshme në politikën demokratike. Ato mbeten instrumente të dobishme për bashkëpunim, përfaqësim dhe realizimin e objektivave të përbashkëta. Por jo çdo aleancë është e pranueshme vetëm sepse prodhon një përfitim elektoral apo krijon mundësi për të marrë pushtetin. Krijimi dhe mënyra e ndërtimit të aleancave nga një parti apo formacion politik duhet ta tejkalojë logjikën se në përfundim të një procesi do të përfitohet diçka, qoftë edhe vetë fitorja. Një parti apo formacion që pretendon fitoren nëpërmjet aleancave, pikësëpari duhet ta udhëheqë këtë aleancë (ose koalicion) vetëm duke ndjekur parimet, sepse kur një parti krijon aleanca me individë, grupe apo subjekte që përfaqësojnë pikërisht ato praktika, interesa apo modele politike kundër të cilave ajo ka deklaruar se lufton, lind një kontradiktë e rëndë ndërmjet fjalëve dhe veprave. Ekziston një kufi përtej të cilit bashkëpunimi politik shndërrohet në komprometim moral.

Në këtë rast, çështja nuk është vetëm nëse aleanca është politikisht e dobishme apo kalkulim përfitues i momentit. Çështja është nëse ajo është moralisht dhe politikisht e justifikueshme. Një aleancë që kërkon sakrifikimin e integritetit, të besueshmërisë dhe të identitetit politik, të cilat ndërtojnë thelbin e parimeve, mund të të sigurojë një avantazh të përkohshëm, por ka një kosto shumë më të madhe në planin afatgjatë. Dritëshkurtësia, shkelja e parimeve dhe krijimi i aleancave “sot për sot”, si kalkulim i nevojshëm i momentit, dëmtojnë vazhdimësinë e formacionit politik. Një subjekt politik duhet të pyesë veten jo vetëm se çfarë fiton nga një aleancë, por edhe çfarë humbet duke e bërë atë.

Sepse ndonjëherë kostoja më e madhe politike nuk është humbja e një zgjedhjeje, por humbja e së drejtës morale për të kërkuar besimin e qytetarëve në të ardhmen.

Në demokraci, zgjedhjet janë mekanizëm legjitim për marrjen e pushtetit. Por ato nuk mund të jenë qëllimi i vetëm dhe absolut i politikës. Interesi elektoral nuk mund të jetë kriteri suprem i vendimmarrjes së një force politike.

Ekziston një ndryshim thelbësor ndërmjet një force politike që kërkon të fitojë zgjedhjet për të zbatuar një projekt transformues dhe një force që e ndryshon projektin e saj për të fituar zgjedhjet.

Në rastin e parë, zgjedhjet janë instrument i realizimit të një vizioni. Në rastin e dytë, vizioni bëhet instrument i kalkulimit elektoral.

Kur një parti fillon të masë çdo qëndrim vetëm me numrin e votave që mund të sjellë, ajo rrezikon të braktisë përgjegjësinë e saj për të thënë të vërtetën, për të mbrojtur interesin publik dhe për të kundërshtuar padrejtësinë, edhe kur kjo është politikisht e kushtueshme.

Kjo krijon një politikë të orientuar nga sondazhet, jo nga bindjet; nga përfitimi i momentit, jo nga interesi afatgjatë i shoqërisë.

Një parti serioze duhet të jetë e gatshme të shpjegojë edhe vendimet që nuk i sjellin vota, por që janë të drejta dhe të domosdoshme.Në fakt, pikërisht në këto momente provohet nëse ajo është një organizatë që ka një mision politik apo thjesht një mekanizëm elektoral.

Qytetarët mund të pranojnë që një parti të mos fitojë zgjedhjet. Mund të pranojnë edhe që ajo të bëjë kompromise të arsyeshme. Por është shumë më e vështirë të pranojnë që ajo të tradhtojë vlerat dhe angazhimet për të cilat ka kërkuar mbështetjen e tyre.

Një forcë politike që mbron parimet edhe në rrethana të pafavorshme krijon një marrëdhënie më të qëndrueshme me shoqërinë.

Dhe pjesa më e rëndësishme në politikë është se politika nuk duhet të gjykohet vetëm nga rezultatet e menjëhershme, nga kalkulimet apo edhe nga vetë pragmatizmi. Ajo duhet të vlerësohet edhe nga trashëgimia institucionale, morale dhe kulturore që lë pas. Kur oportunizmi normalizohet, krijohet një kulturë politike ku gjithçka negociohet: bindjet, qëndrimet, përgjegjësitë, standardet etike dhe madje edhe e vërteta.

Për këtë arsye, mbrojtja e parimeve nuk është thjesht një çështje e karakterit të një partie apo individi. Ajo është një kontribut për cilësinë e demokracisë dhe për formimin e një kulture politike me standarde më të larta. Do të ishte e gabuar të interpretohej prevalenca e parimeve si refuzim i çdo kompromisi politik. Demokracia funksionon nëpërmjet dialogut, negociatave, marrëveshjeve dhe pranimit të dallimeve.

Por duhet bërë një dallim i qartë ndërmjet kompromisit që ndihmon realizimin e një objektivi dhe kompromisit që shkatërron vetë objektivin.

Një kompromis është legjitim kur nuk cenon vlerat themelore të subjektit politik, nuk bie ndesh me interesin publik dhe standardet demokratike, nuk kërkon të justifikojë korrupsionin, abuzimin me pushtetin apo shkeljen e ligjit, nuk prodhon kontradikta të papranueshme ndërmjet asaj që deklarohet dhe asaj që praktikohet, si dhe është transparent, i argumentueshëm dhe i përgjegjshëm përpara qytetarëve.

Prandaj, fleksibiliteti në mjete është shenjë pjekurie politike, ndërsa relativizimi i parimeve themelore është shenjë dobësie dhe oportunizmi.

Një forcë politike duhet të jetë fleksibël për mënyrën se si realizon objektivat e saj, por e qëndrueshme në mbrojtjen e vlerave që i japin kuptim ekzistencës së saj.

Në fund të fundit, politika nuk është vetëm arti i mundësisë, por edhe arti i kufijve që nuk duhet të kapërcehen.Një forcë politike nuk duhet të pyesë vetëm se çfarë mund të fitojë nga një aleancë, një marrëveshje apo një kalkulim elektoral, por edhe se çfarë përfaqëson pas kësaj marrëveshjeje.Sepse ekziston një moment kur çmimi i një fitoreje politike bëhet shumë më i lartë se vetë fitorja.

Nëse për të fituar pushtetin duhet të braktisësh parimet, nëse për të siguruar vota duhet të heshtësh përballë padrejtësisë, nëse për të ndërtuar një aleancë duhet të pranosh standarde që më parë i ke dënuar, atëherë duhet të shtrohet pyetja thelbësore: çfarë vlere ka fitorja dhe për çfarë po kërkohet pushteti?

Për ta përmbyllur, dua të paraqes testin e lakmusit që një forcë politike duhet të ketë parasysh përpara çdo aleance, marrëveshjeje apo vendimi me rëndësi politike, duke iu përgjigjur pesë pyetjeve:

A është ky vendim në përputhje me parimet dhe vlerat që kemi shpallur?

A mund ta mbrojmë publikisht këtë vendim pa mohuar qëndrimet tona të mëparshme?

A i shërben interesit publik apo kryesisht interesit tonë elektoral, personal apo grupor?

A do të mund ta konsideronim të pranueshëm të njëjtin veprim nëse do ta kryente kundërshtari ynë politik?

A do të ndiheshim krenarë për këtë vendim edhe pas dhjetë vjetësh?

Nëse përgjigjet janë negative, atëherë përfitimi i mundshëm politik duhet të vihet në pikëpyetje, pavarësisht avantazhit që mund të ofrojë në afat të shkurtër.Sepse nëse përgjigjet e tyre janë negative, atëherë një parti që fiton duke humbur identitetin e saj mund të marrë pushtetin, por nuk ka fituar legjitimitetin moral për ta ushtruar atë.

Siç e kam cituar edhe më parë, ruajtja dhe respektimi i parimeve mbetet rregulli i artë i çdo formacioni politik, në tërësinë e tij.

Edhe Partia Demokratike nuk mund të bëjë përjashtim nga ky rregull. Ripërtëritja e Partisë Demokratike duhet të nisë pikërisht nga respektimi i parimeve demokratike, barazia në konkurrim, zgjedhjet e lira, meritokracia dhe përfaqësimi real i anëtarësisë, dhe jo të bëhët në kurriz të parimeve të saj.

Një tjetër pikë e rëndësishme e rregullit të artë të zbatimit të parimeve është konsolidimi i alternativës qeverisëse të Partisë Demokratike, si një forcë politike që synon të marrë përgjegjësinë e drejtimit të vendit nesër. Kjo kërkon ndërtimin e një oferte të qartë politike dhe një programi serioz qeverisës, pasi vetëm përmes një alternative të besueshme, gjithëpërfshirëse, me zotime dhe zgjidhje konkrete, çdo mund të zgjerojë bazën e saj elektorale dhe të fitojë mbështetjen e qytetarëve.

Ripërtëritja, si vazhdimësi e rithemelimit dhe procesit të ringritjes së Partisë Demokratike, nëse vërtet duam që kjo fazë, ky cikël dhe kjo etapë ringritëse e Partisë Demokratike të vijojë shëndetshëm, në funksion të forcimit të saj politik, organizativ dhe elektoral, atëherë duhet të kemi vetëm një busull orientuese: a po respektohen dhe përmbushen parimet, vlerat dhe bindjet mbi të cilat kjo parti është themeluar/ rithemeluar? ( çështje të cilën do e trajtoj në një shkrim më të zgjeruar).

Nuk mund të ndërtohet një Parti Demokratike më e forte dhe e ripërtërirë dhe më pas e ringritur për të qenë fituese me praktika që rrezikojnë të dobësojnë demokracinë e saj të brendshme. Nuk mund të flasim për ripërtëritje, nëse nuk kemi më parë respektim të parimeve.  Sepse në fund, suksesi i rithemelimit në fillim dhe i ripërtëritjes si derivat i saj nuk matet me numrin e emërimeve apo me ndryshimin e emrave në struktura, por me rikthimin e besimit të demokratëve, legjitimitetin e përfaqësimit, forcimin e identitetit politik të Partisë Demokratike dhe tek shpalosja e alternativës së saj qeverisëse.

Dhe kthehem aty ku e nisa, se rregulli numër një në çdo forcë apo formacion politik është se parimet duhet të jenë gjithmonë mbi kalkulimet, sepse në çdo rast që zgjedhim të zbatojmë parimet, ato të rezultojnë në sukses politik që ka kuptim, përmbajtje dhe qëndrueshmëri.Mund të humbasësh një betejë elektorale duke mbrojtur parimet, por të ruash besimin, dinjitetin dhe identitetin mbetet gjithmonë rregulli I parë.

V.O

Ky shkrim është vazhdim i shkrimit “Rregulli numër 1: Parimet mbi kalkulimet”.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Advertismentspot_img
RELATED ARTICLES
Advertismentspot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular