HomeOP EDNga shpërthimi i poetëve te varfërimi i kulturës: kur kritika kthehet në...

Nga shpërthimi i poetëve te varfërimi i kulturës: kur kritika kthehet në linçim publik/nga Menda Vreto

Advertismentspot_img

nga Menda Vreto

Në vitin 2004, kur lindi Facebook-u, poetët ishin relativisht të paktë në hapësirën virtuale. Në vitin 2022, me shfaqjen e ChatGPT-së, ndodhi diçka e pazakontë: poetët filluan të shfaqeshin si kërpudhat pas shiut. Në fillim ishin pak, pastaj numri i tyre u rrit me shpejtësi, bashkë me të edhe rivaliteti, xhelozia dhe gara për dukshmëri. Sa më shumë shtoheshin poetët e rinj të epokës së ChatGPT-së, aq më shumë dukej se pakësohej toleranca mes tyre. Nuk e kam fjalën për poetët që kanë ndërtuar një rrugëtim të gjatë letrar, që kanë botuar libra, kanë publikuar poezi dhe kanë fituar përvojë përpara kësaj epoke. E kam fjalën për fenomenin e ri të poezisë bashkëkohore në rrjetet sociale, ku teknologjia u dha shumë njerëzve mundësinë të shprehnin veten, por jo gjithmonë edhe kulturën e nevojshme për të respektuar njëri-tjetrin. Më pas nisën të shfaqeshin revistat letrare, platformat e publikimit dhe garat e heshtura: kush boton më shumë, kush merr më shumë vëmendje, kush shpërndahet më shumë dhe kush arrin të fitojë më shumë emër në këtë univers virtual. Por problemi i vërtetë nuk është shtimi i poetëve dhe as fakti që inteligjenca artificiale po përdoret për të krijuar poezi. Problemi fillon atëherë kur humbet respekti për njeriun. Kam vënë re një fenomen veçanërisht shqetësues: publikimin e emrave dhe mbiemrave të personave në Facebook, përmes etiketimit publik (tag), duke i ekspozuar para një audience të gjerë për gabime që mund të diskutoheshin dhe zgjidheshin në mënyrë private. Në disa raste, dikush akuzohet se ka marrë apo përdorur një poezi të tjetrit, ndoshta të krijuar me ndihmën e ChatGPT-së, duke e paraqitur si krijim të vetin. Një veprim i tillë, nëse vërtetohet, meriton të kritikohet. Por a duhet që përgjigjja ndaj një gabimi të jetë një tjetër gabim? Aty ku duhej të kishte një mesazh privat, një bisedë njerëzore, një telefonatë apo një kërkesë për sqarim, shohim publikime me emra dhe mbiemra, etiketime dhe komente pa fund. E më shqetësuesja është se shumë të tjerë bashkohen në këtë proces, duke e kthyer një konflikt mes dy personave në një gjykim kolektiv. Njëri mund të ketë gabuar duke marrë një poezi që nuk i përket. Tjetri mund të gabojë duke e ekspozuar publikisht. Ndërsa të tjerët, duke u bashkuar në një lumë komentesh poshtëruese, rrezikojnë të bëhen pjesë e së njëjtës padrejtësi që pretendojnë se po dënojnë. Dhe në fund, çfarë fituat? A u bë letërsia më e pasur? A u bë kultura më e lartë? A u bë dikush më i mirë duke e poshtëruar një tjetër para mijëra njerëzve? A keni menduar ndonjëherë se pas atij emri dhe mbiemri që etiketoni ekziston një njeri? Një njeri me ndjenja, me një familje, me një histori personale, me një zemër që mund të lëndohet. Ndoshta vjen nga një familje e mirë, ndoshta ka kaluar vështirësi që ju nuk i njihni. Ndoshta e ka kuptuar gabimin e tij dhe do të kishte qenë i gatshëm ta korrigjonte, sikur dikush t’i kishte dhënë mundësinë të dëgjohej. Nuk po them se gabimet duhen heshtur, as se plagjiatura duhet justifikuar. Përkundrazi, çdo krijues ka të drejtën të mbrojë veprën e tij dhe të kërkojë respekt për autorësinë. Por ekziston një dallim thelbësor midis kërkimit të drejtësisë dhe dëshirës për të poshtëruar dikë. Kultura nuk matet vetëm me atë që shkruajmë, por mbi të gjitha me mënyrën se si sillemi kur përballemi me gabimin e tjetrit. Nëse dikush ka marrë një poezi, kontaktojeni privatisht. Kërkoni sqarim. Telefonojeni. Jepini mundësinë të përgjigjet. Nëse çështja nuk zgjidhet, ekzistojnë rrugë të përshtatshme për të mbrojtur të drejtat e autorit. Por mos e ktheni emrin dhe mbiemrin e një njeriu në objekt të një fushate publike poshtërimi. Sepse një poezi mund të vidhet, një tekst mund të kopjohet, një autorësi mund të kundërshtohet, por dinjiteti njerëzor nuk duhet të bëhet viktimë e një gare për të treguar se kush është më i drejtë. Të gjithë gabojmë. Askush nuk është i përsosur. Dhe fakti që dikush ka gabuar nuk na jep automatikisht të drejtën ta trajtojmë pa dinjitet. Po e shkruaj këtë sepse kam lexuar, kam dëgjuar dhe kam vëzhguar mjaftueshëm. Dhe besoj se ka ardhur koha të flasim jo vetëm për poezinë, por edhe për kulturën e komunikimit, përgjegjësinë dhe humanizmin. Mos e ngatërroni kritikën me bullizmin. Mos e ngatërroni drejtësinë me turmën. Mos e ngatërroni kulturën letrare me të drejtën për të poshtëruar. Shkruani, botoni, kritikoni, mbroni krijimtarinë tuaj, shprehni mendimet tuaja lirisht. Por mos e përdorni emrin dhe mbiemrin e një personi si mjet për ta ekspozuar, për ta turpëruar dhe për ta mbyllur në një rreth gjykimesh publike. Sepse në fund, vlera e një poeti nuk provohet duke rrëzuar një poet tjetër. Ajo provohet nga fisnikëria me të cilën ai di të qëndrojë edhe përballë gabimit të tjetrit. Le të jemi njerëz të kulturës, jo spektatorë të poshtërimit njerëzor

Mos harroni: pas çdo emri dhe mbiemri që etiketoni qëndron një njeri, jo një objekt për t’u turpëruar publikisht. Një postim mund të zgjasë pak sekonda, por plagët që shkakton mund të zgjasin një jetë. Nga turpi dhe poshtërimi mund të ndodhin gjëra që nesër nuk do të dëshironit as t’i dëgjonit. Dhe atëherë, çfarë do t’i thoni ndërgjegjes suaj? Asnjë poezi nuk vlen më shumë se një jetë njerëzore!

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Advertismentspot_img
RELATED ARTICLES
Advertismentspot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular