Dy shqiptarë kanë përfunduar përpara drejtësisë britanike, pasi akuzohen se kanë depërtuar në rezidencën private të princit William dhe princeshës Kate Middleton, në Norfolk, duke vjedhur disa sende personale të familjes mbretërore.
Gazeta britanike “The Times” i ka kushtuar një artikull ngjarjes, e cila ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e pronave të familjes mbretërore britanike.
Të arrestuarit janë Mirgen Doku, 34 vjeç, me banim në Londrën perëndimore, dhe Arilen Ndoci, 32 vjeç, pa adresë të përhershme banimi. Sipas raportimeve të mediave britanike, të dy shqiptarët ndodheshin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.Policia angazhoi një helikopter, dronë dhe qen policie për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Doku dhe Ndoci u paraqitën këtë të mërkurë përpara Gjykatës së Magjistratëve në Norwich, ku iu komunikuan akuzat për hyrje në një banesë me qëllim vjedhjen dhe depërtim të paautorizuar në një territor të mbrojtur.
Gjatë seancës, dy shqiptarët u asistuan nga një përkthyes i gjuhës shqipe, i cili mori pjesë nëpërmjet një lidhjeje me video.
Sipas detajeve të bëra publike në gjykatë, ngjarja ndodhi pasditen e së hënës, më 23 nëntor. Dy shqiptarët dyshohet se u ngjitën nëpërmjet një tubi të shkarkimit të ujërave, duke arritur të depërtonin në dhomën e garderobës së rezidencës mbretërore.
Ata akuzohen se kanë vjedhur gjashtë palë mansheta këmishësh dhe një orë. Një prej palëve të manshetave është përshkruar në gjykatë si ajo e Dukës së Edinburgut. Vlera e sendeve nuk është përcaktuar ende.
Policia e Norfolkut mori njoftimin për lëvizje të dyshimta pranë rezidencës pak përpara orës 18:00. Menjëherë pas alarmit u mobilizuan forca të specializuara, qen policie, dronë dhe një avion i pajisur me teknologji për identifikimin e personave nëpërmjet imazheve termike.
Sipas të dhënave të Flightradar24, të cituara nga “The Times”, avioni i policisë qëndroi në ajër për afro tri orë. Dy shqiptarët u arrestuan pranë pronës mbretërore dhe u dërguan në ambientet policore për t’u marrë në pyetje.
Një tjetër detaj i zbuluar gjatë seancës gjyqësore ishte se Doku dhe Ndoci u kapën nga policia të zbathur.
Prokuroria britanike bëri të ditur se, pas shqyrtimit të materialeve të mbledhura nga policia, kishte konstatuar se ekzistonin prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzave ndaj dy shtetasve shqiptarë dhe se ndjekja e tyre penale ishte në interesin publik.
Gjyqtari Matthew Bone vendosi që të dy të qëndrojnë në paraburgim deri në seancën e ardhshme, të planifikuar për të hënën, më 30 nëntor.
Në momentin e ngjarjes, princi William, princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, nuk ndodheshin në rezidencë. Pallati Kensington ka refuzuar të komentojë incidentin, duke mos dhënë detaje mbi çështjet e sigurisë.
Anmer Hall është një prej rezidencave private më të rëndësishme të familjes së trashëgimtarit të fronit britanik. Vila me dhjetë dhoma gjumi, e ndërtuar në stilin gjeorgjian, ndodhet brenda pronës mbretërore të Sandringhamit, në Norfolk.
Rezidenca iu dhurua çiftit nga mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011. Ajo disponon një pishinë private, fushë tenisi dhe hapësira të gjera të gjelbëruara, ndërsa familja e përdor kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve shkollore.









