Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar në Denizli, në jugperëndim të Turqisë, ku një biznesmen 49-vjeçar është gjetur i vrarë brenda banesës së tij, me duart e lidhura me litar dhe shenja të dukshme dhune në trup.
Viktima është identifikuar si Fendai Karagjoz, me profesion ndërtues dhe pronar i një biznesi mermeri. Sipas raportimeve të mediave turke, mes tyre edhe “Milliyet”, 49-vjeçari dyshohet se është kthyer më herët nga një udhëtim pune dhe ka gjetur bashkëshorten e tij, Asije Karagjoz, në shoqërinë e dy burrave të tjerë në banesën e tyre.
Pas zbulimit, mes tyre dyshohet se ka shpërthyer një konflikt i ashpër, i cili përfundoi me vrasjen e biznesmenit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit, në lagjen Alparslan, në zonën Merkezefendi të Denizlit.
Fqinjët dëgjuan zhurma dhe njoftuan policinë
Kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar policinë, pasi kanë dëgjuar zhurma të forta dhe të bërtitura që vinin nga banesa.
Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët konstatuan se askush nuk po u hapte derën. Për këtë arsye, ata u detyruan të hynin në banesë me ndihmën e një çelësbërësi.
Brenda gjetën 49-vjeçarin të shtrirë në dysheme, pa shenja jete, me duart e lidhura me litar dhe me shenja të dukshme dhune në trup. Mjekët e urgjencës, të mbërritur në vendngjarje, konfirmuan vdekjen e tij.
U kthye më herët nga udhëtimi dhe gjeti bashkëshorten me dy burra
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Karagjoz ishte kthyer nga një udhëtim pune më herët nga sa kishte planifikuar.
Me të hyrë në banesë, ai dyshohet se ka gjetur bashkëshorten, Asije Karagjoz, së bashku me dy burra të tjerë. 49-vjeçari mësohet se është përfshirë në një debat me ta, të cilët ndodheshin në dhomën e ndenjjes.
Gjatë përplasjes fizike që pasoi, biznesmeni dyshohet se është dhunuar rëndë dhe më pas është mbytur nga dy burrat. Autoritetet konstatuan gjithashtu se viktima kishte duart e lidhura me litar.
Arrestohen bashkëshortja dhe dy burrat, të afërmit tentojnë të sulmojnë njërin prej të dyshuarve
Në kuadër të hetimeve për vrasjen, policia ka arrestuar tre persona: bashkëshorten e viktimës dhe dy burrat që dyshohet se ndodheshin në banesë në momentin e ngjarjes.
Tensionet janë përshkallëzuar kur familjarët e Karagjozit kanë parë njërin prej të arrestuarve dhe kanë tentuar ta sulmojnë fizikisht, me qëllim linçimin e tij.
Ndërhyrja e menjëhershme e policisë ka bërë të mundur shmangien e përplasjes dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Policia analizon kamerat e sigurisë
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes nga policia dhe prokuroria, trupi i pajetë i Fendai Karagjozit është transportuar në morgun e Drejtorisë Rajonale të Mjekësisë Ligjore në Denizli, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Ndërkohë, hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë të kompleksit të banimit, me qëllim përcaktimin e orareve të mbërritjes dhe largimit të personave të dyshuar nga banesa, ditën e vrasjes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, motivin e krimit dhe shkallën e përfshirjes së secilit prej tre personave të arrestuar.









