HomePolitikeKuvendi miraton Buxhetin 2027 me 80 vota pro, kalon edhe paketa fiskale!...

Kuvendi miraton Buxhetin 2027 me 80 vota pro, kalon edhe paketa fiskale! Opozita voton kundër, i rrëzohen të gjitha amendamentet!

Advertismentspot_img

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në orët e para të mëngjesit të 27 nëntorit Buxhetin e vitit 2027 me një vlerë 10 miliard euro.

Buxheti mori 80 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim. Në votim rezultojnë edhe 33 deputetë të pranishëm që nuk kanë votuar.

Gjatë së njëjtës seancë plenare, Kuvendi miratoi edhe pesë ligjet që përbëjnë paketën fiskale, e cila sjell ndryshime në sistemin e taksave, përfshirë uljen në 6% të TVSH-së për 54 produkte ushqimore dhe higjienike.

Miratimi i paketës fiskale u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e opozitës votuan kundër, duke e cilësuar paketën si të pamëshirshme, ndërsa mazhoranca rrëzoi të gjitha amendamentet e paraqitura prej tyre.

Gjatë seancës maratonë, mazhoranca mbrojti buxhetin duke argumentuar se ai garanton më shumë investime publike, mbështetje për pensionistët dhe politika sociale. Ndërsa opozita e kundërshtoi, duke kërkuar vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh në muaj dhe më shumë mbështetje për shtresat në nevojë.

Debate pati edhe për paketën fiskale, e cila parashikon uljen e TVSH-së në 6% për 54 produkte ushqimore dhe higjienike. Opozita kërkoi zgjerimin e lehtësive fiskale, përfshirë ujin dhe energjinë elektrike, por amendamentet e saj u rrëzuan nga mazhoranca.

Te gjitha diskutimet dhe votimet

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, i cili parashikon ndërhyrje në kuadrin ligjor që rregullon tatimin mbi të ardhurat, me synim përmirësimin dhe qartësimin e dispozitave që lidhen me përcaktimin dhe administrimin e detyrimeve tatimore për kategoritë përkatëse të tatimpaguesve.

U miratua me 80 vota pro, 21 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, synon përditësimin e dispozitave që rregullojnë tatimin mbi vlerën e shtuar, duke përcaktuar ndryshime në trajtimin dhe zbatimin e këtij tatimi, si dhe në administrimin e procedurave përkatëse.

U miratua me 78 vota pro, 21 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, parashikon përmirësime në procedurat tatimore, në marrëdhëniet ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve, si dhe në mekanizmat e kontrollit, zbatimit dhe administrimit të detyrimeve tatimore.

U miratua me 80 vota pro, 23 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, ndryshimet synojnë rishikimin e disa dispozitave që lidhen me taksat kombëtare, duke përditësuar kuadrin ligjor për kategoritë përkatëse të taksave dhe administrimin e tyre.

U miratua me 80 vota pro, 20 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, parashikon ndryshime në kuadrin ligjor për akcizat, duke synuar përmirësimin e rregullave për zbatimin, administrimin dhe kontrollin e produkteve që i nënshtrohen këtij detyrimi.

U miratua me 78 vota pro, 18 vota kundër dhe 0 abstenim.

Më tej, seanca shqyrtoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.

Në tërësi, projektligji përcakton kuadrin financiar të shtetit për vitin 2027, duke parashikuar të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, financimin e shërbimeve publike, mbështetjen për sektorët prioritarë dhe fondet për investimet publike.

Deputeti z. Erion Braçe prezantoi raportin dhe ndryshimet e bëra nga Komisioni për Ekonominë, Financat dhe Punësimin, ku u shpreh se projektbuxheti i vitit 2027 garanton një balancë pozitive dhe bazohet në programin e Qeverisë. Sipas tij ky buxhet është i mirëstrukturuar dhe vuri në dukje se trajektorja e borxhit publik mbetet në rënie, ndërsa ulen risqet që vijnë nga kontratat koncesionare apo partneritetit publik privat.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 22 vota kundër dhe 0 abstenim.

Më tej, u shqyrtua projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të memorandumit të mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr. 9852, datë 26.12.2007”,

Ky projektligj synon pranimin e ndryshimeve të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual. Përditësimet lidhen me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zbatimin e standardeve për inspektimin e anijeve në porte, sigurinë detare dhe parandalimin e ndotjes nga anijet që nuk përmbushin kërkesat përkatëse.

Projektligji u miratua me 76 vota pro, 3 vota kundër dhe 1 abstenim.

Aktet Normative

Seanca plenare vijoi me shqyrtimin e 2 Akteve Normative, përkatësisht:

Akt normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet””.

Ky Akt normativ parashikon shtesa dhe ndryshime në kuadrin ligjor për organizimin dhe zhvillimin e tubimeve, duke rregulluar dispozita që lidhen me ushtrimin e kësaj të drejte dhe përgjegjësitë përkatëse.

U miratua me 79 vota pro, 21 vota kundër dhe 0 abstenim.

Ministri i Punëve të Brendshme z. Ervin Demo në fjalën e tij për këto Akte Normative, nënvizoi se Policia ka detyrimin të mbrojë çdo qytetar që proteston paqësisht kundër qeverisë, por shtoi se sulmet ndaj efektivëve, institucioneve dhe bizneseve nuk mund të justifikohen nga asnjë kauzë politike.

Ndërsa, depuetja e opozitës znj. Jorida Tabaku kundërshtoi aktin normativ duke e cilësuar si antidemokratik dhe kërkoi njëkohësisht llogari për dhunën policore.

Akt normativ nr. 6, datë 28.10.2026, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.

Ky Akt normativ përcakton mekanizmin për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, si dhe mënyrën e trajtimit dhe rregullimit të pasojave të këtij dëmi.

U miratua me 80 vota pro, 20 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës””.

Në prezantimin e këtij projektligji, ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Mirela Kumbaro u shpreh se ky projekt i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, me vlerë të veçantë në cilësinë e arsimit dhe diplomacinë tonë, propozohet të rregullohet me një ligj të veçantë pasi përfaqëson një model krejtësisht të ri në arsimin tonë publik parauniversitar. Projektligji krijon bazën ligjore për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”, duke përcaktuar organizimin, funksionimin dhe administrimin e tij.

Ndërsa kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi, njëherësh edhe deputet i qarkut të Korçës, në fjalën e tij e cilësoi rihapjen e Liceut një ngjarje me rëndësi kombëtare dhe një investim strategjik për modernizimin e vendit përmes arsimit. Më shumë se një shekull pas themelimit të tij, Liceu Francez synon të rikthehet me një model të ri arsimor, të orientuar drejt shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe inovacionit.

Ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 1 votë kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”.

Ministri i Financave z. Petrit Malaj, theksoi se nisma synon forcimin e mbikëqyrjes së konglomerateve financiare, pjesë e të cilave janë institucione krediti, shoqëri sigurimi dhe shoqëri komisionere. Ajo synon rritjen e koordinimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse dhe identifikimin e administrimin e rreziqeve që mund të ndikojnë në stabilitetin financiar.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 77 vota pro, 1 votë kundër dhe 1 abstenim.

Projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit znj. Delina Ibrahmaj, në fjalën e saj u shpreh se projektligji përcakton kuadrin rregullator për tregjet e kriptoaseteve, përfshirë kërkesat për emetimin, ofrimin dhe tregtimin e tyre, si dhe për subjektet që ofrojnë shërbime në këtë treg. Synimi është rritja e transparencës, mbrojtja e përdoruesve dhe krijimi i rregullave të qarta për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Ndërsa, deputetja znj. Jorida Tabaku tha se ndërsa tregu i kriptomonedhave kërkon vëmendje dhe rregullim të plotë, qeveria nuk duhet të lërë pas dore kontrollin mbi sektorin e ndërtimit, i cili mbetet një nga pikat më vulnerabël ndaj pastrimit të parave në vend.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 0 vota kundër dhe 1 abstenim.

Më tej, seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për donacionet dhe sponsorizimet”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Z. Taulant Balla, në fjalën e tij u shpreh se projektligji përcakton rregullat dhe procedurat për dhënien, përfitimin dhe administrimin e donacioneve dhe sponsorizimeve, duke synuar rritjen e transparencës dhe qartësimin e përgjegjësive të subjekteve të përfshira. Ai bëri thirrje për mbështetjen e kësaj nisme përtej ndasive politike, duke theksuar se sporti është një e mirë e përbashkët, që meriton vëmendjen dhe angazhimin e të gjitha forcave politike.

Ndërsa, Deputetja dhe kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, znj. Ina Zhupa kundërshtoi projektligjin duke theksuar se nuk kishte të evidentuara efektet financiare.

Ky projektligj u miratua me 81 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Sa i përket projektligjit “Për kontabilitetin në sektorin publik”, nisma synon përmirësimin e sistemit të kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik, standardizimin e praktikave kontabël dhe forcimin e transparencës e llogaridhënies në administrimin e fondeve publike.

Projektligji u miratua me 79 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Më tej, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar”, parashikon një ndryshim në kuadrin ligjor që rregullon kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, me synim përmirësimin e dispozitave që lidhen me zbatimin dhe kontrollin e punimeve.

Ky projektligj u miratua me 79 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimet

Së fundmi, seanca plenare miratoi projektvendimin “Për një shtesë në vendimin nr. 174/2026, “Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar, ngritur me vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit të Shqipërisë, për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë””.

Projektvendimi parashikon një shtesë në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të ngritur për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, me qëllim vijimin e punës së këtij komisioni.

Ky projektvendim u miratua me 79 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për lirimin e zotit Gentian Sala nga detyra e anëtarit dhe Kryetarit të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe ushtrimin e përkohshëm të detyrave dhe kompetencave të Kryetarit”, u miratua me 79 vota Pro, 0 Kundër, 1 abstenim.

Seanca plenare e Kuvendit mbajti një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Ylli Ziçishti, i cili u nda nga jeta ditën e sotme më 26 nëntor 2026.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Advertismentspot_img
RELATED ARTICLES
Advertismentspot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular