Shqipëria do të përfshihet ditën e sotme nga moti i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit. Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet do të nisin që në orët e para të 24-orëshit, kryesisht me intensitet të ulët.
Situata pritet të jetë më e theksuar në zonat jugore të vendit, ku reshjet do të paraqiten me intensitet mesatar deri të lartë, në formën e shtrëngatave dhe të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë në mënyrë të herëpashershme në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në jug parashikohen rrebeshe afatshkurtra, me intensitet mesatar dhe herë pas here të lartë.
Ndërkohë, në zonat malore të veriut dhe verilindjes, në lartësitë mbi 1100 metra mbi nivelin e detit, priten reshje dëbore me intensitet të ulët.
Sa i përket kushteve atmosferike, era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare mund të arrijë deri në 15 m/s.
Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 2 deri në 4 ballë.









