Një ditë përpara protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor, qeveria ka miratuar një akt të ri normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve.
Akti i ri normativ, i përbërë nga 16 nene, parashikon që përgjegjësi financiare për dëmet të mbajnë jo vetëm autorët e akteve të dhunës, por edhe organizatorët e protestave, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 9.
“Organizata ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, nëse ka të tillë, përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato”, përcaktohet në nenin 9 të aktit normativ.
Shteti mund të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe në rastet kur autori i dëmit nuk është identifikuar.
Avokati i Shtetit do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin e shumave të paguara. Nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditëve dhe nuk lidhet një marrëveshje restauruese, ndaj tyre mund të ngrihet padi në gjykatë.
“Avokatura e Shtetit fton subjektin e identifikuar si përgjegjës për shkaktimin e dëmit që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve nga data e marrjes së ftesës dhe nuk ushtron të drejtën e tij për të lidhur marrëveshje restauruese, sipas nenit 10 të këtij akti normativ, Avokatura e Shtetit është e autorizuar, në bazë të këtij akti normativ, të ngrejë padinë e regresit ndaj autorëve të dëmit, në masën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit.
Neni 8 – Rikuperimi i dëmeve të shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike, pika 1
Pavarësisht nëse vendoset kompensimi paraprak, sipas këtij akti normativ ose jo, në rastet kur të dëmtuarit nga aktet e dhunës janë institucione publike, Avokatura e Shtetit, në çdo rast, kërkon shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të tyre.”
Neni 10 – Marrëveshja restauruese, pika 1
Avokatura e Shtetit mund të lidhë marrëveshje me debitorin që detyrimi i tij të shlyhet tërësisht ose pjesërisht me punë në interes publik”.
Akti i ri normativ parashikon edhe mundësinë e shlyerjes së detyrimeve financiare, tërësisht ose pjesërisht, me punë në interes publik, nëpërmjet një marrëveshjeje vullnetare. Për të miturit kërkohet pëlqimi i prindërve, ndërsa puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë shkollimin.
Në akt sanksionohet gjithashtu se askush nuk mban përgjegjësi vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim.
Vendimmarrja e qeverisë vjen pasi në orët e para të mëngjesit Kuvendi miratoi dy aktet normative për ndryshimet në ligjin “Për tubimet” dhe kompensimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave.
Ndryshe nga akti i mëparshëm i kompensimit, akti i ri nuk kufizohet në një periudhë të caktuar, por përcakton një mekanizëm të përgjithshëm për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve gjatë tubimeve.









