Gjykata e Prizrenit ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të riut M.H., i cili është arrestuar nën dyshimin se të premten ka vrarë me thikën babanë e tij.
Në kërkesën për paraburgim Prokuroria ka dhënë detaje për ngjarjen tragjike e cila tronditit jo vetëm Prizrenin. Sipas Prokurorisë, rasti tragjik ka ndodhur në Prizren rreth orës 13:50.
Prokuroria pretendon se i dyshuari dhe babai i tij kishin pasur një mosmarrëveshje paraprake. Pas kësaj, i pandehuri merr një thikë në kuzhinë, del në rrugë para shtëpisë së tij dhe në momentin që e vëren babanë që zbret nga kamioni fillon ta godiste.
I pandehuri, sipas pretendimeve të Prokurorisë së Prizrenit, e ka goditur prindin e tij F.H. disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Ndërsa, nga goditja në qafë, në arterie, viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprës penale dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë.
“Nga të gjitha provat rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri M.H., me datë 25.12.2020, rreth orës 13:50 minuta, në Prizren, afër shtëpisë së të ndjerit, e privon nga jeta anëtarin e familjes – babanë e tij F.H., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake i pandehuri merr një thikë në kuzhinë, mjet ky i përshtatshëm dhe i rrezikshëm për rrezikimin e jetës dhe shëndetit, del në rrugë para shtëpisë së tij dhe në momentin që e vëren babanë e tij që zbret nga kamioni, i pandehuri fillon ta godasë disa herë me thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe në qafë në arterien ku si pasojë, i dëmtuari F.H., ndërron jetë në vendin e ngjarjes, e me këtë janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit”, theksohet në komunikatë.