Aksidentet rrugore tregojnë një rritje të ndjeshme gjatë muajit të parë të vitit, ndryshe nga tendenca e viteve të kaluara sa i përket muajit të parë të vitit. Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se në janar janë regjistruar 125 aksidente rrugore në vendin tonë, me një rritje prej 34.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Rritje të ndjeshme ka edhe numri i viktimave nga aksidentet rrugore, si dhe numri i të plagosurve. Në total, numri i viktimave, fatalitete dhe plagosje, është rritur me rreth 35% në janar të këtij viti, krahasuar me janarin e vitit të kaluar.
I ftuar në “Wake Up”, gazetari Spartak Koka bëri të ditur se muaji janar i vitit 2021 ka shënuar rekord viktimash për sa i përket aksidenteve rrugore.
“Rritja e aksidenteve vijoi që nga data 20 dhjetor dhe ne e paralajmëruam dhe filluam të flisnim. Fakti është që sot, ne kemi në janar 22 aksidente me vdekje që është shifra më e lartë e 4 viteve të fundit. Në rast se ne propagandojmë se kemi ulur aksidentet rrugore me 50%, ne themi se aksidentet rrugore janë rritur me 35% në muajin janar.
Në janar të vitit 2020 kemi pasur 16 aksidente me vdekje, në janar të 2019 janë regjistruar 15 aksidente me vdekje, ndërsa në 2018 kemi pasur 13 aksidente me vdekje”, bëri të ditur gazetari Koka.