Kanë kaluar 5 vite që kur ka ndodhur një ngjarje e rëndë, e cila ka tronditur Deçanin. 24-vjeçarja Donjeta Pajazitaj, u zhduk pa lënë gjurmë, familjarët e saj e kërkuan për javë të tëra por pa asnjë rezultat.
Kaluan javë të tëra dhe askush nuk kishte informacion për të, derisa në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit u gjeten mbetje të një trupi. Ishin disa banorë të fshatit ata që shkuan në mal për të prerë dru, e gjetën trupin e pajetë. Kishin kaluar 6 javë që nga humbja e saj.
Trupi i Donjetës u gjend me dy plumba në kokë dhe shenja dhune në trup. I akuzuari kryesor për këtë ngjarje të rëndë është një i afërm i familjes, kushëriri i saj Neser Pajazitaj.
Teksa kanë kaluar 5 vite nga kjo ngjarje, familjarët ende bëjnë thirrje për drejtësi. Sipas tyre, akoma nuk ka një zbardhje të çështjes dhe i akuzuari nuk ka marrë vendimin e merituar.
Rasti është trajtuar nga të gjitha shkallet gjyqësore në Kosovë dhe janë marrë vendime kontradiktore në shkallë të ndryshme. Personi që u shpall i pafajshëm me vonë u dënua me burgim të përjetshëm dhe më pas u kthye në rigjykim përsëri.
Vëllai i Donjetës, Shkëlqim Pajazitaj, ishte sot në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, ku u shpreh se ata mendojnë se kushëriri i tyre ka pasur një bashkëpunëtor në lidhje me këtë vrasje.
“Duam të dimë se pse ndodhi kjo, çfarë e ka shtyrë atë që të bëjë një gjë të tillë apo ndonjë bashkëpunëtor të mundshëm”, tha Shkëlqimi, i cili tregoi edhe për letrat që ka marrë duke e kërcënuar.
“Nuk e kemi ditur kush i ka dërguar, e më pas u mor vesh se ka qenë kryetari i fshatit. Halil Hysnia ka kaluar me të. Thuhet se Donjeta ka ngelë shtatzënë e të mos e merrte vesh gruaja e tij, i ka dhënë 5 mijë euro që ta vrasë”, shtoi vëllai i të ndjerës.
Shkëlqim Pajazitaj ka treguar edhe se si ka ndodhur e gjithë ngjarja e rëndë, kur e morën vesh se Donjeta ishte zhdukur e më pas vrarë.
“Donjeta në orën 13:45 ka dalë nga shtëpia për të ikur në punë. E deri në mbrëmje nuk e kemi ditur ku është. Në darkë na kanë marrë në telefon nga puna e na pyetën se se pse nuk ka ardhë në punë. Kur shkuan te policia na thanë se duhet të presim 24 orë. E pas 6-javësh u gjet e vrarë me dy plumba në kokë”, shtoi ai.
Shkëlqimi tregon se si i dyshuari për vrasjen njëherë u shpall i pafajshëm, më pas u dënua me “burgim të përjetshëm” dhe tani çështja është në shqyrtim sërish.
“I dyshuari për vrasje është në burg. Peja ka heqë dorë nga kjo çështje dhe ka shkuar në Gjykatën e Ferizajt. Prova ka mjaftueshëm, e kamerat e sigurisë e tregojnë se si Donjeta ka qenë në makinën e tij. Ai ka qenë një invalid, nuk ka patur mundësi të bëjë një veprim të tillë. E kemi kushëri, jemi vllazni. Me vajzën e tij, Donjeta ka qenë shoqe ngushtë, për 13 vite bashkë në shkollë”, rrëfen Shkëlqimi.