Kompeticioni debutues i UEFAs, Liga e Konferencës, do të zhvillojë finalen e saj në stadiumin “Air Albania” më datën 25 maj të këtij viti. Ka kohë që ekspertë të huaj kanë vizituar vazhdimisht Shqipërinë, për të vëzhguar edhe më nga afër kushtet e stadiumit
Ndërsa pak ditë më përpara në ambientet e kryeministrisë u mbajt edhe një takim mes kryebashkiakut Veliaj, kreut të federatës, ekspertëve të UEFA-s, si edhe drejtuesve të lartë të policisë së shtetit. Aty u fol për pikat kyçe të organizimit të kësaj finale, si siguria, çështje të kapaciteteve akomoduese, transporti dhe kapaciteti me fluturimet në aeroport. Ndërsa në lidhje me stadiumin, “Air Albania” ka një kapacitet prej 21.690 vendesh, por do të pësojë disa ndryshime te pjesa e stolave, duke e ulur numrin e tifozëve.
PROBLEMATIKAT
Kapaciteti i aeroportit- Në një ditë në aeroportin e Rinasit mund të zbarkojnë 8 mijë persona, çka nuk është e mjaftueshme për numrin e tifozëve që priten të vijnë. Kështu që mendohet të vihet në ndihmë aeroporti i Kukësit dhe ai i Ohrit, për të përballuar numrin e tyre. Transporti- Kërkohet që të ketë transport falas nga pikat hyrëse dhe deri në Tiranë për mbajtësit e biletave, por gjithashtu edhe një sasi e madhe autobusësh për të transportuar atë numër tifozësh që do të zbarkojë atë ditë. Kjo është një pikëpyetje e madhe dhe një nga pikat kryesore që duhet të plotësohet.
BILETAT
Kapaciteti i biletave pritet të jetë rreth 19 mijë, duke qenë se do të hiqen një pjesë e stolave. 8 mijë bileta do t’u shkojnë klubeve finaliste, nga 4 mijë secila. Pjesa tjetër do të dalë në shitje, nga këto, 4 mijë do të shiten në Shqipëri. Bileta do të jetë elektronike dhe jo e printuar dhe nuk mund të transferohet te dikush tjeter. Nëse një person e blen dhe vendos emrin e tij nuk mund t’ia japë dikujt tjetër. Ndërkohë, për çmimin e biletës, do i referohen çmimet e vendit ku organizohet finalja, dhe mendohet se do të merren çmime krahasuese me ato të ndeshjes Shqipëri-Francë.
STADIUMI
Ndeshja e fundit që është parashikuar të luhet do të jetë miqësorja Shqipëri-Gjeorgji. Një pjesë e madhe e stolave në sektorin mik do të hiqen, sepse do të instalohen dy studio televizive, si dhe ndryshimi i një pjese të madhe të tribunës ku do t’i jepet një hapësirë e madhe mediave dhe do të montohen edhe dy ekrane të mëdhenj në tribunën përballë.
PANORAMASPORT.AL