HomeOP EDUrat...

Urat…

spot_img

ARDI STEFA
Kur pret ura pa ndonjë arsye të veçantë, ndonjëherë bie në lumë. Diskutimi se kush i preu urat me kë, pse dhe qysh është qesharak. Urat e prera në PD janë të dukshme. Të dyja gjysmat i kanë prerë urat e bashkëpunimit me njëra-tjetrën me kohë, fillimisht nga lart, në nivel lidershipi; ndërsa tani urat janë prerë edhe poshtë, në bazë. Në përgjithësi mes tyre nuk ka mbetur asnjë urë pa u prerë.  Kështu që këtu m’u kujtua një histori e vjetër lexuar në manualet e politikës.  Në Gjermaninë e bashkuar të shekullit të 19-të, pyetja nuk ishte PD zyrtare apo PD e Rithemeluar, por nëse Perandoria e re duhej t’u drejtohej britanikëve dhe francezëve apo rusëve. Pastaj Bismarku i madh, i cili kishte një nuhatje të jashtëzakonshme të kohës dhe politikës, tha dy shprehje brilante. Së pari, se në politikë “Ose je i fortë ose shkon me të fortët”. D.m.th: Lërini dënglat Së dyti, se “Në një sistem me tre forca është më mirë të jesh një nga të dyja”. Domethënë, nëse je i fortë, të të zgjedhin ty të tjerët. Fjalë të mençura. Por gjermanët nuk i morën ndonjëherë seriozisht. Ata mendonin se ishin kaq të fuqishëm e me mbështetje sa nuk kishin nevojë të zgjidhnin. Dhe duke qenë se nuk arrinin të kuptonin se me kë të shkonin dhe me kë të distancoheshin, dolën kundër të gjithëve. Braktisja e mençurisë realiste të Kancelarit të madh nga pasardhësit e tij përfundimisht çoi në Luftën e Madhe që shkatërroi Evropën, por veçanërisht Gjermaninë, e cila luftoi në “dy fronte”. Kështu është. Kur pret ura pa ndonjë arsye të veçantë, në ndonjë çast bie në lumë. Në politikën shqiptare është e qartë se disa nuk i dinë ose nuk u besojnë, veçanërisht këshillave të Bismarkut, që sapo përmenda më sipër. Nuk ka problem. Ndoshta kjo nuk do të ketë pasoja dhe të gjithë do të vazhdojmë rrugën e shkujdesur drejt pushimeve verore paszgjedhore. Por mund të ketë. Për të gjithë ose për disa. Sepse kushti themelor që të tejkalohet atmosfera toksike dhe përçarja është të ketë kritikë, autokritikë dhe të merren vendime. Edhe me flijime po lindi nevoja. Sepse humbja mundet gjithmonë të bjerë në shpinën e kryetarit, por e vërteta është se ka shumë fajtorë. Dhe në një parti që humbet, sado që të duan disa të shmangin përgjegjësitë e tyre, ato janë atje. Dhe i shohin. I shohin edhe nëpërmjet votuesve. Dhe, natyrisht, duhet t’i marrin këto përgjegjësi. Përgjegjësitë nuk janë toksike. Të njohësh gabimet e tua, nënkupton dëshirë dhe vullnet për t’i korrigjuar. Duke marrë përsipër edhe koston. Edhe nëse do të thotë të thuash “Addio, largohem!”. Të përpiqesh t’i fshehësh gabimet e përgjegjësitë, ca më keq, të mos i njohësh e pranosh, është toksike dhe kjo na çon në një rreth të mbyllur vicioz, nga ku urat që priten na hedhin në lumë… Dhe na lënë të mbytemi!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular