Gara koncesionare për ndërtimin e aksit rrugor Milot – Balldre është mbyllur pa ankesa për kriteret e tenderit, duke i hapur rrugë shqyrtimit të ofertave dhe përzgjedhjes së kompanisë që do të kryejë punimet. Pas kalimit të kësaj faze, kompanitë kanë të drejtë të paraqesin kundërshtime nëse nuk janë dakord me vendimit e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Ndërkohë që, nëse edhe faza e shqyrtimit të ofertave përmbyllet pa ankesa i hapet rruga lidhjes së kontratës koncesionare dhe nisjes së punimve.
Tenderi për kompanitë e interesuara u hap nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në 19 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa fillimisht afati për dorëzimin e ofertave ishte 17 shkurti. Por, më pas MIE vendosi shtyrjen, duke përcaktuar 10 marsin si afatin e ri për shprehjen e interesit nga kompanitë.
Sipas dokumenteve të tenderit vlera totale e parashikuar e projektit është rreth 365 mln euro, pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 35 vjet. Në këtë vlerë përfshihen kostot për projektimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës që do të jetë autostradë e kategorisë A, nga rrugë e kategorisë C që është aktualisht.
Aksi Milot-Balldre është i gjatë rreth 17 km, ndërsa do të ketë një karrexhatë dyfishe me nga dy korsi dhe korsi të emergjencës, bankinë, tunel me dy tuba, si dhe vepra arti të mëdha mbi lumin Mat dhe lumin Drin. Po ashtu koncesionari do të duhet të ndërtojë rrugët paralele të kategorisë F2, nyjet në disnivel bashkë me rrugët lidhëse dhe rrugë alternative pa pagesë të kategorisë “C”, në një distancë jo më pak se 1 km nga aksi kryesor.
Rruga fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjerë rrugorë Milot-Thumanë – Kashar – Lekaj – Rruga e Kombit dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.
Ky aks është pjesë e korridorit Adriatiko – Jonian, i cili është i identifikuar paraprakisht si pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar, duke shtrirë Korridorin Kryesor të Rrjetit të BE – së në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai do të lidhë Evropën Qendrore dhe Italinë e Veriut me Ballkanin në Evropën Juglindore, me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Gjatësia e vlerësuar e të gjithë Korridorit të Mesdheut është rreth 1550 km, ndërsa 20% e tij apo 318 km shtrihen në territorin shqiptar.