nga Florenca Meço
Kur vjen qameti maskat hidhen poshtë. Ajo që shfaqet të kall datën. Kështu po ndodh edhe me Erjon Velinë. Në medie, thuhet se ai ka marrë një avokat që kushton 500 mijë euro. Është vëllai që i mbulon. Sigurisht.
Ky është modeli që ndërtoi Rilindja. Velija është pjesë e modelit, por jo i vetmi. Ai është prodhim i një mënyre autoritare te qeverisjes qëndrore dhe vendore. Autoritare si trashëgimi e komunizmit, por edhe klanore si trashëgimi e lashtë. Vëllai i Veliajt do të paguaj jo pak. Ai u bë pasanik kur vëllai u ngjit në pushtet. Dikush tjetër ngjitet në pushtet dhe gjithë të afërmit fitojnë aftësi të jashtëzakonshme për të hyrë në sistemin e drejtësisë. Po ashtu të tjera e të tjerë që kthehen në biznesmenë të suksesshëm duke krijuar firma në vigjilje të tenderave të nipit, vëllait, djalit, kushëririt, kunatit me funksione publike dhe që administrojnë paratë tona. Nuk mungojnë as investitorët strategjikë. E çfarë janë këta? E njëjta gjë me periudhën kur Sulltani Hamiti u fali tokat e shtetit çifligarëve shqiptarë duke u bazuar në dy kritere: besnikëri ndaj portës së lartë dhe popullaritet në krahinë. Pasuri në këmbim të mbështetjes të sistemit politik. Thjesht po ndërtohet një kapitalizëm otoman.
Drejtësia sociale vazhdon të jetë një ëndër.