Qindra mijëra njerëz kanë protestuar në Beograd të shtunën, në tubimin që po shihet si kulmi i protestave disamujore kundër presidentit popullist, Aleksandar Vuçiç, dhe qeverisjes së tij, raporton AP.
Turma të mëdha të njerëzve që protestonin me flamuj bllokuan rrugët e kryeqytetit, pavarësisht reshjeve të herëpashershme të shiut. Njerëzit kishin vështirësi të ecnin nga numri i madh i të pranishmëve. Shumë prej tyre përfunduan pa mbërritur as në vendet për të cilat ishte nisur turma masive.
Pas incidenteve sporadike në mes të protestuesve dhe të policisë, studentët – të cilët kanë organizuar protesta paqësore qe katër muaj – bënë thirrje për fund të protestës të së shtunës, duke thënë se nuk mund të garantonin më shumë sigurinë e të gjithëve. Ata më vonë u raportua të jenë kthyer nëpër fakultete për të kaluar natën. Teksa një pjesë e konsiderueshme e protestuesve u tërhoqën, por mijëra të tjerë mbetën rrugëve në kohën kur nisën tensionet. Për këto tensione, kryeparlamentarja Ana Bërnabiç u shpreh se “janë ekstremistë që sulmuan studentët protestues, por edhe studentët e ‘Parkut të Pionierëve’”.
Policia ka thënë se turma mbërriti në 107 mijë njerëz në pikë të protestës. Mediat e pavarura serbe e kanë përshkruar tubimin si më të madhin ndonjëherë në shtet, duke thënë se shifrat ishin shumë më të larta.
I gjithë transporti publik në Beograd ishte ndërprerë pasi qytetarët vinin në këmbë në qytet nga drejtime të ndryshme.
Tubimi ishte vazhdimësi e lëvizjes kombëtare serbe antikorrupsion, që shpërtheu pasi një strehë betoni u shemb në një stacion treni në Novi-Sad dhe u mori jetën 15 personave.
Protesta gati të përditshme nisën si reagim i menjëhershëm atë kohë. Demonstratat kanë shkundur pushtetin e fortë të Vuçiç në Serbi, sikur s’ka ndodhur asnjëherë më parë në 13 vjet qëkur është në pushtet. Shumë në Serbi fajësojnë korrupsionin e shfrenuar të qeverisë, neglizhencën dhe mosrespektimin e rregullave të sigurisë së ndërtimit, duke kërkuar llogari për viktimat.