Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 43-vjeçarit Vladimir Topjana të dielën në Pordenone të Italisë.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë janë arrestuar babë e bir, Pren dhe Rogert Shota, 67 dhe 34 vjeç.
Mediat italiane shkruajnë se arsyeja që ka nisur debatin mes tyre dhe më pas degjeneroi deri në shkrepjen e armës, ka qenë një çështje e lidhur me pronësinë e një cope toke në Shqipëri.
Po sipas këtyre medieve, si pasojë e debatit të fortë Topjana i ka kafshuar veshin babait të Rogertit, Prenit, veprim ky i cili ka sjellë më pas përdorimin e armës nga djali.
Topjana ka marrë dy plumba në bark dhe një tjetër në kokë, duke humbur jetën në vendngjarje.
Mësohet se pas ngjarjes, Rogert Shota ka dërguar të atin, Prenin, në shtëpi, ndërsa vetë shkoi drejt Venetos. Por të dy u arrestuan nga policia.