Ardi Stefa
Dy partitë më të mëdha, PD dhe PS kanë çelur zyrtarisht fushatën elektorale me dy takime në zemër të Tiranës. PD e çeli me 11, ndërsa PS në 12 prill.
Megjiithëse PD zgjodhi datën 11 prill për çeljen e fushatës, e cila si datë përkon me 40 vjetorin e vdekjes së diktatorit Hoxha, strategët e PD nuk ditën ta kapin e shfrytëzojnë si datë, për të përcjellë mesazhin se në 11 prill 2025 do të ishte edhe “vdekja e autokratit Rama”,- siç u pëlqejnë ta quajnë. Dhe kjo do të ishte një metaforë e jashtëzakonshme, në rast se do të shfrytëzohej siç duhej. Por mesa duket strategët e PD karakterizohen nga shterpësi idesh.
Në çeljen zyrtare të fushatës së saj, PD u shfaq në Sheshin “Nënë Tereza”, me një skenografi impozante, led wall gjigandë dhe kandidatët përpara tyre.
Spektaklit mijëra euro të dritave e projektorëve nuk u mungoi as muzika e Rocky Balboas, por deri aty. Skenografia luksoze, ishte jo tipike për një parti opozitare që deklaron se “do të luftojë shpenzimet e tepruara qeveritare”.
Mitingu ishte i vakët. Fjalimet të zvargura. Entusiazmi mungonte dhe fytyrat e kandidatëve, të cilët merreshin më tepër me celularët, ishin të ngrysura, me përjashtim të kandidatëve të rinj, të cilët kapardiseshin në vetëkënaqësinë e tyre dhe bënin selfi.
Atmosferën nuk e ngrohën as 60 sekondat e La Civitës, i cili foli me disa parulla dhe as lotët e Berishës.
Madje retorika mediatike për zbritjen e “sherifit” dhe e Berishës në krah të “sherifit” nuk ngjiti. Për herë të parë mediat vunë Berishën në krah të LaCivitës dhe jo LaCivitën në krah të Berishës.
Nuk ngjiti sepse sfida nuk është ndërmjet LaCivita-s dhe Edi Ramës, por ndërmjet Berishës dhe Ramës, dhe kjo është ajo që do të vendosë rezultatin e zgjedhjeve. Shqiptarët e dinë që Trump nuk ndikohet fare nga LaCivita për Shqipërinë dhe zgjedhjet në Shqipëri, sikundër e dinë që perceptimi, që përpiqen të përçojnë disa zyrtarë të lartë të PD se tashmë me Berishën është Amerika e mirë dhe e ndershme dhe jo ajo e keqe është thjesht një përpjekje mjerane për të gënjyer ata që mund të gënjehen ende, pasi gënjeshtrat e mëdhe pranohen më lehtësisht.
Gjithsesi fushata çelja e fushatës së PD nuk kishte asnjë risi. Ngjante me një iso të zvargur, sikur po vajtohej dikush. Dhe kandidatët ishin të gjithë kostumet e vjetra që nuk bëjnë dot garderobë të re, sado që të hiqen si të rinj…
Në 12 prill, PS çeli fushatën në “Sheshin Skënderbej” me një sfond shumë më thjeshtë e pa teprime. Një yll në mes të sheshit dhe rreth tij qarqet të përfaqësuara me nga një yll, i cili simbolizonte yjet në flamurin e BE, por që edhe mund të interpretohej nga demokratët si ylli komunist njëherë e një kohë në flamurin kombëtar. Kjo ishte skenografia për hapjen e fushatës që përçoi qartë mesazhin e sloganit të PS “Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS” dhe mesazhin se kësaj here kërkon një votë përtej së majtës.
Rama zgjodhi që kandidatët e tij të parakalonin si atletë në Lojërat Olimpike, një gjetje interesante, që mund të interpretohet edhe si cirk në kontekstin politik nga ana e skeptikëve dhe e opozitës. Apo si një festival folklorik.
Përkundër show-t luksoz të PD, Rama, mesditën e së shtunës, doli në shesh vetëm me dritën e diellit mbi kokë. Gjetje interesante, sepse u përpoq të tregonte “thjeshtësi” dhe se edhe me një logjistikë më modeste mund të organizohen fushata të mëdha dhe jo vetëm me luksin e disa orëve më parë nga opozita!
Difekt i fushatës së PS ndoshta ishte ngjitja në skenë i Noyzi-t, ndoshta një këngëtar i preferuar për një pjesë të rinisë, por jo i pranueshëm për shumë të tjerë, për shkak të modelit të jetës, artit dhe sjelljes që ka përçuar.
Ndryshe nga PD, Rama zgjodhi që të mos kishte flamuj dhe postera me logon e PS, por vetëm flamuj kombëtarë dhe të BE, si për të treguar se kësaj here Rama shkon përtej së majtës dhe se kryefjala është integrimin në BE. Por ndoshta edhe nuk do t’i kujtojë elektoratit se janë bijtë e partisë, ata që janë pas hekurave apo nën hetim e arrati dhe që ia kanë hedhur pas shpine. Ndoshta prandaj mungonin flamujtë, ndoshta prandaj Rama nuk e përmendi asnjëherë Partinë Socialiste në fjalën e tij…
Ndoshta prandaj edhe Berisha u përpoq ta ironizonte skenografinë e Ramës me vendosjen e të arrestuarve në secilin yll dhe foton e një miu aty ku qëndronte Rama.
Gjithsesi… ky ishte vetëm fillimi.
Javët në vijim do të tregojnë se sa e tensionuar do të jetë fushata, e cila zyrtarisht nisi “paqësisht” dhe me njerëz të ulur në karrige kësaj here…