Është arrestuar as rreth dy muajsh në arrati 49-vjeçari Daut Laze, i cili u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, me datë 04 shkurt 2025.

Burime bëjnë me dije se ai është kapur afër banesës së vet, në zonën e Astirit.
“Bazuar nga informacionet e marra nga inteligjenca policore, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në Astir, u bë kapja e shtetasit të shpallur në kërkim Daut Laze, 49 vjeç, banues në Astir”, njofton policia.
Kujtojmë se gardianët kanë konstatuar mungesën e tij vetëm në momentin kur është bërë ndërrimi i turneve, ndërkohë Policia e Shtetit iu vu në ndjekje, dhe u be i mundur arrestimi mbrëmjen e sotme (14 prill).
Gjithashtu, pas arratisjes se tij, përveç kontrolleve të imtësishme nëpër vendet ku dyshohej se ai mund të strehohej, policia kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve duke ofruar shpërblimin prej 10 mijë euro.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, shtetasi Daut Laze, 49 vjeç, i cili u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, me datë 04 shkurt 2025.
Bazuar nga informacionet e marra nga inteligjenca policore, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në Astir, u bë kapja e shtetasit të shpallur në kërkim Daut Laze, 49 vjeç, banues në Astir.
Ky shtetas, me datë 04 shkurt 2025, u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë.
Veprimet e metejshme do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë.
KUSH ËSHTË DAUT LAZE
Drejtoria e Burgjeve njoftoi asokohe se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe se është arrestuar që prej vitit 2021. 49-vjeçari nga Çorovoda, por me banim në Tiranë, mësohet se ndodhej i shtruar në dhomën e mjekimeve në spitalin e burgut të Shënkollit.
I dënuari me mjekim të detyruar, ka mundur të largohet nga rrethimi i institucionit të posaçëm mjekësor brenda burgut, duke kapërcyer murin. Mungesa e tij në dhomë u vu re vetëm në orët e para të mëngjesit të së martës gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit.
Pas kontrollit të menjëhershëm nga stafi i policisë në institucion, është vërejtur se ky shtetas me mjekim të detyruar ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme, të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për t’u larguar nga rrethimi i vendit të vuajtjes së dënimit.
Daut Laze është arrestuar më 16 nëntor të vitin 2021 për dhunë në familje. Në 4 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës vendosi për të “Mjekim të detyruar në një institucion spitalor”, dënim të cilin po e vuante në burgun e Shënkollit, aty ku u zhvendosën të gjithë të dënuarit me probleme të shëndetit mendor pas mbylljes së Zaharisë për kushte çnjerëzore.