Është vrarë me armë zjarri në një atentat në fshatin Pllanë të Lezhës, babai i Roan Brahimit, Gjovalin Prendi. Policia e Lezhës ka dhënë njoftim zyrtar mbi vrasjen mafioze të Gjovalin Prendit, ndodhur këtë mbrëmje pranë biznesit të tij.
65-vjeçari është qëlluar me armë zjarri rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme nga persona ende të paidentifikuar, dhe raportohet se ka ndërruar jetë në vendgjarje.
“Në fshatin Pllanë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Gj. P. 64 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Forca të shumta të Policisë kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër. Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes“, njofton policia e Lezhës.
Duket se tragjedia për familjen e tyre është përsëritur si për ironi të fatit, kur babë e bir ekzekutohen në prag të Pashkëve. Një vit më parë Rean Brahimi ishte kthyer nga Emiratet e Bashkuara ku fshihej për disa vite, në Greqi, në fillim të majit, për të festuar Pashkët me gruan dhe djalin e mitur.
Roan Brahimi, emri i vërtetë i të cilit është Sidorel Prendi, ishte duke udhëtuar mbrëmjen e së enjtes, më 9 maj 2024, me një makinë luksoze Mercedes Benz A Class, nën shoqërinë e bashkëshortes së tij, Katerina Beqos, ku drejt tyre u qëllua me breshëri plumbash në qendër të Athinës.
Prej tre vitesh, Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët, ndërsa njihej si armik i Ervis Martinajt.
Atentati ndaj mikut të tij të dikurshëm, Ylli Brakimi në Milot, ku mbeti i vdekur Klisman Peçi, e largoi atë nga Shqipëria duke u strehuar në Emiratet e bashkuara. Por, kundërshtarët e gjetën në një lagje në Athinë, ku kishte shkuar për të festuar Pashkën dhe në një atentat mafioz, dy persona me motor i janë afruar dhe e kanë qëlluar për vdekje. Në momentin e ngjarjes, pranë tij ndodhej partnerja dhe djali i tyre i mitur.
Pistat e hetimit janë fokusuar në hakmarrje, pasi 32-vjeçari që njihej edhe me emrin Sidorel Prendi dhe kishte precedent të rrezikshëm kriminal në Shqipëri. Përplasjet e armatosura datojnë që në 2014, kur në një atentat vriten 2 kushërinjtë e tij, Klodian Ndreca e Taulant Prendi dhe u plagos Aurel Prendi.
Në 2020, në lokalin e babait të tij, persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri, por pa lënduar askënd. Brahimi gjithashtu ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare që në vitin 2021, pasi dyshohej se bashkë me Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi, hynë të armatosur në një lokal në Zejmen të Lezhës, terrorizuan klientët dhe kërkuan pronarin.
Edhe pse policia nuk e ka dokumentuar, Rohan Brahimi njihej si kundërshtari i Ervis Martinajt, i zhdukur prej 2022, ku informacionet flasin për një sherr fizik mes tyre. Nisur nga këto informacione, Roan Brahimi ka qenë i dyshuar për vrasjen e Brilant Martinajt dhe dy të tjerëve, më 17 korrik 2022, si edhe për ngjarjen e 5 ditëve më vonë, ku u tentua të eliminohej miku i tij i dikurshëm, Ylli Brahimi, por u vra Klisman Preçi.