Policia e Tiranës zbardhi ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, ku u raportua për të plagosur nga të shtënat me armë zjarri, por jo si pasojë e plumbave. Sipas informacioneve zyrtare, konflikti shpërtheu për motive të dobëta dhe përfshiu disa shtetas, nga të cilët 8 janë arrestuar.
Në lidhje me këtë ngjarje, është shpallur në kërkim Adriano Shabanaj, 51 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit Kasem Stani, 40 vjeç. Megjithëse nuk pati persona të plagosur nga plumbat, Stani pësoi dëmtime të lehta nga goditja me qytën e pistoletës gjatë përleshjes.
Ngjarja e djeshme
Ilir Shabanaj është shpallur në kërkim ndërsa janë vënë në pranga 7 personat e tjerë të përfshirë në konfliktin e dhunshëm të identifikuar si shtetasit Emiljan Ruko, Bjorni Tahiraj, Eriald Tahiraj, Denikiajder Tahiraj, Eduart Sulaj, Kastriot Stani dhe Elton Ajredinaj. Policia ka arrestuar edhe 40-vjeçarin Stani i cili mbeti i lënduar lehtë në këtë ngjarje.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme teksa një takim mes 8 personash degradoi në konflikt të dhunshëm duke lënë pas një të plagosur. Ka qenë Ilir Shabanaj cili qëlloi me tytën e pistoletës 40-vjeçarin i cili mbeti i plagosur lehtë. Gjithashtu rezultoi se 51-vjeçari qëlloi një herë, me këtë armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë shtetas.
Burime për mediat bënë me dije më herët se Kasem Stani u çua nga tavolina duke i përshëndetur të gjithë, përveç Shabanajt i cili rezultoi që t’i jepte dorën. Kjo sipas raportimeve të dëshmitarëve është bërë dhe burim i sherrit, pasi thuhet se 40-vjeçari u ndje i ofenduar nga refuzimi i tjetrit.
Situata më pas degradoi në dhunë fizike mes tyre si dhe në përfshirjen e personave të tjerë duke hedhur në drejtim të njëri-tjetrit sende të forta si karrige, ndërsa njëri prej të pranishmëve ka qëlluar dhe me armë zjarri.
Menjëherë pas ngjarjes personat e përfshirë në këtë konflikt u larguan me shpejtësi, ndërkohë që 40-vjeçari u drejtua në një spital privat në kryeqytet ku dhe mori ndihmën e parë mjekësore. “Arratisja” e personave të lartpërmendur nuk zgjati për shumë gjatë, pasi vetëm disa orë më vonë u identifikuan dhe arrestuan nga blutë e shtetit. Ndërkohë, që puna po vijon për lokalizimin dhe arrestimin e Shabanajt.
E kaluara e Shabanajt
Adriano Shabanaj, ish-kryekomunar i Kurjanit në Roskovec i zgjedhur në vitin 2011, rezulton person me precedentë penalë. Ai u arrestua në shtator të vitit 2020 nga policia e Lushnjës për plagosjen me armë të një shtetasi pas një konflikti për parakalim.
Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Kosovë e Vogël–Jeta e Re, ku Shabanaj qëlloi me armë ndaj Mario Arapajt, 32 vjeç. Po ashtu, në vitin 2018, Shabanaj ra në prangat e autoriteteve italiane si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë dhe armë. Ai ishte një ndër 14 shqiptarët e përfshirë në një organizatë prej të paktën 20 anëtarësh, që operonte mes Shqipërisë, Holandës dhe Italisë. Policia vijon punën për kapjen e Shabanajt dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.