Gruaja e Roan Brahimit (në foto në Athinë, në momentin e vrasjes së bashkëshortit të saj), dyshohet se ishte shënjestra e atentatit mbrëmjen e së enjtes në Tiranë. Ajo ka deklaruar para hetuesve të policisë se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët që ekzekutuan vjehrrin e saj, Gjovalin Prendi, në Lezhë apo në lidhje me plagosjen e katër personave në Lundër.
Ajo ka deklaruar para hetuesve se nuk ka probleme me njerëz të tjerë, por nuk ka përjashtuar konfliktet që ka pasur bashkëshorti i saj me të tjerë.
Gruaja e Roan Brahimit, gjatë kohës së atentatit ka qenë në Tiranë dhe jo në Lezhë, çka dyshohet se atentatorët kanë pasur informacion për këtë. Mësohet se ajo nuk i ka marrëdhëniet e mira me familjarët e Roanit.
Dyshohet se breshëria e plumbave që u zbrazën një natë më parë në drejtim të automjetit me të cilin po udhëtonin dy djemtë e Demirajt, Dior Demiraj, 11 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17-vjeç, shoku i tyre 19-vjeçar, Kian Mullaj dhe punonjës i kompanisë “Pelikan Security”, Arenc Stafa, është ngatërruar sepse në të vërtetë ishin nisur për gruan e Roan Brahimit.
Hetuesit dyshojnë se grupi i vrasësve me pagesë kanë pasur të programuara dy plane, eleminimin e disa familjarëve të familjes Prendi. Pra, ekzekutimin e babait të Roan Brahimit, 64-vjeçarin Gjovalin Prendi dhe të bashkëshortes së 32-vjeçarit.
Gjatë atentatit të parë, autorët arritën objektivin, duke ekzekutuar me breshëri plumbash Gjovalin Prendin, ndërsa për bashkëshorten e Brahimit, koincidenca e ngjashmërisë së makinës ka bërë të ngatërrohet tërësisht objektivi.