HomeEkonomiRivlerësimi i pronave në gjysmën e dytë të vitit, kategoritë që përfitojnë!...

Rivlerësimi i pronave në gjysmën e dytë të vitit, kategoritë që përfitojnë! Çmime të diferencuara brenda një qyteti, ja kur do të nisë procesi

spot_img

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme është shtyrë për në gjysmën e dytë të vitit 2025, por pa një afat se kur do të fillojë si proces.

Në fakt, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme pritej të hynte në fuqi që në shtatorin e një viti më parë, por kjo shtyrje vjen për shkak se ende nuk ka përfunduar reforma e caktimit të referencave të pronave në të gjithë vendin. Kështu, procesi rivlerësimit do të paraprihet nga caktimi i çmimeve të referencës edhe në qytetet e tjera të vendit. Qëllimi është që të dy proceset duhet të ecin paralelisht në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët nga afrimi i vlerës së pronës së tyre me çmimet e tregut.

Caktimi i referencave të reja për qytetet e tjera kryesisht ato të bregdetit, i rrit automatikisht vlerat e pronave. Kjo shtyrje ka ardhur edhe për faktin se ky do të jetë rivlerësimi i fundit, siç ka paralajmëruar kryeministri. Pas këtij procesi mund të nisë rivlerësimi nga i cili qytetarët mund të përfitojnë duke përafruar vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut, bazuar edhe në referencat e reja që do të caktohen. Nëse ky rivlerësim do të miratohet, do të jetë i pesti proces në 13 vite.

Procesi i fundit i rivlerësimit të pasurive nisi në vitin 2020 dhe mbaroi në gusht të 2022 nga i cili përfituan 110 mijë familje në të gjithë vendin, u rivlerësuan 168.200 pasuri dhe buxheti i shtetit përfitoi 12.7 miliardë lekë. Rivlerësimi i fundit kishte normë tatimi 3 për qind, ndërsa ai që pritet të hyjë në fuqi së shpejti thuhet se do të jetë 5 për qind.

AFATI

Ishte Kryeministri Edi Rama, i cili gjatë komunikimi me qytetarët bëri të ditur afatin e nisjes së procesit të rivlerësimit duke shpjeguar edhe arsyet përse është shtyrë deri më tani.

“Rivlerësimi i pronave do të bëhet në gjashtëmujorin e dytë dhe ka disa arsye pse. Është një punë shumë e madhe, po përgatiten harta sepse po bëhet i gjithë bilanci i shitblerjeve etj., që të bëjmë një vlerësim sa më domethënës dhe sa më të favorshëm për ata që po presin”, – deklaroi kreu i qeverisë.

Brenda vitit 2025 synohet mbyllja e gjithë procesit të rivlerësimit dhe më pas pritet që duke filluar nga 1 janari i 2026, të gjithë qytetarët shqiptarë të kenë mundësi që t’i kenë pronat e rivlerësuara me çmimet aktuale të tregut. Një risi e rëndësishme në procesin e rivlerësimit 2025 është ndryshimi i metodologjisë së përcaktimit të çmimeve të referencës. Ndryshe nga sistemi aktual, ku 60 bashkitë kanë vetëm një çmim reference për të gjitha pronat, sistemi i ri do të ndjekë modelin e Tiranës, me çmime të ndryshme sipas zonave kadastrale.

Për shembull: në Durrës, ku aktualisht çmimi mesatar për të gjitha pronat është 67,500 lekë për metër katror, sistemi i ri do të diferencojë çmimet në zona bregdetare duke i vlerësuar me çmime më të larta dhe në zona periferike çmime më të ulëta. Projektligji i rivlerësimit të pronave në momentin e propozimit parashikonte që individët dhe subjektet do të kenë të drejtë të rivlerësojnë pronat e tyre me çmimin e tregut, duke paguar një tarifë rivlerësimi në masën 3% të diferencës mes çmimit të rivlerësuar dhe çmimit të fundit të regjistruar në kartelën e pasurisë.

Por, në deklaratat e mëtejme flitej për një përqindje më të lartë, 5%. Pra, ajo që u prezantua si një shans i madh për qytetarët zbehu vëmendjen e shqiptarëve, një prej vendeve më të varfra në Evropë e rajon. Pavarësisht këtij fakti, është ndër të paktat ku shteti mban tatim mbi të ardhurat e përfituara nga shitja e shtëpisë së parë.

SHEMBULL RIVLERËSIMI

SA PËRFITOJNË QYTETARËT,

Përfitimi kryesor për pronarët është reduktimi i konsiderueshëm i tatimit të paguar gjatë shitjes së pronës. Aktualisht, për diferencën midis vlerës së regjistruar dhe çmimit të shitjes paguhet një tatim prej 15%. Me procesin e ri të rivlerësimit, pritet që tatimi të ulet ndjeshëm, me diskutime që sugjerojnë një normë rreth 5% ose edhe më të ulët.

SHEMBULL KONKRET:

Një apartament me vlerë të regjistruar në ASHK 100 mijë euro, që shitet me çmimin real të tregut prej 150 mijë euro:

Pa rivlerësim: Tatimi 15% për diferencën prej (150,000-100,000) 50 mijë euro = 7,500 euro (50,00*15%)

Me rivlerësim dhe tatim 5%: Vetëm 2,500 euro tatim (50,00*5%)

/Gazeta Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular