E shtuna ishte një ditë e veçantë për një prej personaliteteve të letrave shqipe, një njeri aktiv para shumë vitesh dhe në politikë, por që do të zhvendosej në SHBA prej ku sytë dhe mendjen do ta kishte gjithnjë nga Shqipëria. Ai nuk do të rreshte kurrës së krijuari si publicistikë ashtu edhe letërsi mirëfilli teksa së fundmi do të vinte tek lexuesi dhe me botime historike të një rendësie të veçantë për kombin që kërkojnë vëmendjen maksimale të lexuesit shqiptar kudo që ndodhet brenda trojeve apo Diasporë.
Ai quhet Halil Teodori, një personalitet i vërtet jo vetëm për krahinën nga vjen, por dhe shqiptar i cili me penën e tij ka skalitur bindshëm emrin ndër personalitetet shqiptare. Halil Teodori eshte një personalitet i vërtet dhe kjo e arrirë prej tij përmes punës krijuese si shkrimtar dhe studiues, konsideroj që z.Teodori është një prej atyre dibranëve fjalëpak, i mençur, i urtë.
Kryesia e “Shoqatës Bulqiza” në përmbushje të misionit të saj për evidentimin e promovimin e arritjeve të njerëzve të shquar bulqizakë, si krijues e studiues, organizoi me 24 maj 2025 në Tiranë aktivitetin promovues në bashkëpunim me shkrimtarin e studiuesin Halil Teodori. Të pranishëm në aktivitet në sallën e mbushur plotë ishin dhjetra personalitete, njerëz të letrave, si dhe të tjerë si ish-kryebashkiaku I Kamzës Agim Cani, Hasan Stafa, Jashar Demiri etj. Në këtë takim referuan studjuesi Bashkim Lami, Dr. Hajri Mandri, gazetari dhe publiçisti Mina Hysa, poetesha Barie Çupi, Dr.Jashar Demiri, ish deputeti Kujtim Gjuzi, studjuesi Ilir Puca; Hasan Stafa, poetesha Miranda Troci. Shkrimtari e studjuesi Halil Teodori përshëndeti dhe falenderoj pjesmarrësit edhe organizatorët e “Shoqatës Bulqiza” që pregatiten këtë aktivitet vlerësues të punës së tij. Në fjalën e tij z.Teodori ndër të tjera tha: -“Të nderuar pjesëmarrës, Të respektuar organizatorë të Shoqatës “Bulqiza”, I nderuar profesor Bashkim Lami, të dashur miq, bashkëqytetarë dhe dashamirës të dijes e kulturës. Me përulësi dhe me mirënjohje të thellë, ju falënderoj për këtë ftesë që më jep mundësinë të ndaj me ju jo vetëm mendimet e mia, por mbi të gjitha ndjenjat që më lidhin ngushtë me këtë truall të bekuar, me këtë vend që mban në damarët e vet gjakun e historisë dhe shpirtin e së vërtetës – trevën e Bulqizës dhe të Dibrës.
Të jesh nga Dibra (Bulqiza) nuk është thjesht një përkatësi gjeografike. Është një detyrim për të përfaqësuar një vend të sakrificës, të punës së ndershme, të krenarisë dhe të qëndresës. Sapo kalon Qafën e Buallit, nuk je më thjesht udhëtar – je dëshmitar i një historie që të flet me gjuhën e dheut dhe të shikimit të burrave që kanë kaluar jetën e tyre nën tokë, në galeritë e kromit, ku djersa dhe gjaku u shkrinë për të ndërtuar jo vetëm të sotmen, por për të mbrojtur nderin dhe të ardhmen e kësaj treve. Bulqiza është një thesari i pasur me vlera që shkojnë përtej lëndës – është shpirti punëtor i njeriut dibran, që me duart e veta ka mbajtur peshën e maleve dhe ka ruajtur me nder flamurin e identitetit tone”. Në vijim të fjalës së tij z.Teodori shtoi se: -“ Nuk jam këtu për t’u mburrur. Jam këtu për të dhënë një dëshmi përkushtimi. Sepse ajo që unë kam bërë e vazhdoj të bëj – qoftë si poet, si studiues apo si publicist – është vetëm një shërbim i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm ndaj vendit tim. Dua ta përmbyll këtë fjalë me një falënderim të veçantë për Shoqatën “Bulqiza”, që po bën një punë të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë, si dhe për Profesor Bashkim Lamin, i cili me përkushtim të rrallë ka krijuar ura bashkimi, nxitje dhe vlerësimi për të gjithë ata që duan me zemër këtë vend. Sinqerisht ndihem i vlerësuar. Respekte pa fund!. Nëse historia jonë është plagosur, ne kemi detyrën ta shërojmë me fjalë, me kujtesë dhe me dashuri. Dhe në këtë rrugë, ju më keni bërë të ndjej se nuk jam i vetëm. Zoti e bekoftë Dibrën, Bulqizën dhe çdo zemër që rreh për këtë tokë! Faleminderit”.