HomeOP EDBulqiza është një thesari i pasur me vlera që shkojnë përtej lëndës...

Bulqiza është një thesari i pasur me vlera që shkojnë përtej lëndës – është shpirti punëtor i njeriut dibran

spot_img

Nga Halil Teodori
Të nderuar pjesëmarrës, Të respektuar organizatorë të Shoqatës “Bulqiza”,
I nderuar profesor Bashkim Lami,
Të dashur miq, bashkëqytetarë dhe dashamirës të dijes e kulturës,
Me përulësi dhe me mirënjohje të thellë, ju falënderoj për këtë ftesë që më jep mundësinë të ndaj me ju jo vetëm mendimet e mia, por mbi të gjitha ndjenjat që më lidhin ngushtë me këtë truall të bekuar, me këtë vend që mban në damarët e vet gjakun e historisë dhe shpirtin e së vërtetës – trevën e Bulqizës dhe të Dibrës.

Të jesh nga Dibra (Bulqiza) nuk është thjesht një përkatësi gjeografike. Është një detyrim për të përfaqësuar një vend të sakrificës, të punës së ndershme, të krenarisë dhe të qëndresës. Sapo kalon Qafën e Buallit, nuk je më thjesht udhëtar – je dëshmitar i një historie që të flet me gjuhën e dheut dhe të shikimit të burrave që kanë kaluar jetën e tyre nën tokë, në galeritë e kromit, ku djersa dhe gjaku u shkrinë për të ndërtuar jo vetëm të sotmen, por për të mbrojtur nderin dhe të ardhmen e kësaj treve.

Bulqiza është një thesari i pasur me vlera që shkojnë përtej lëndës – është shpirti punëtor i njeriut dibran, që me duart e veta ka mbajtur peshën e maleve dhe ka ruajtur me nder flamurin e identitetit tonë.

Unë, Halil Teodori, jam munduar ta shërbej këtë vend me mjetin që njoh më mirë – me fjalën, me mendimin, me kërkimin dhe me kujtesën. Kam shkruar poezi për të thënë ato që ndjen shpirti ynë kolektiv; kam hulumtuar histori të vërteta për të ndriçuar errësirat që i janë hedhur qëllimisht Dibrës; kam folur me zërin e atyre që nuk patën mundësi të flasin, por që lanë pas vepra dhe emra që meritojnë të kujtohen me nderim.

Kam risjellë në kujtesë emra të lavdisë sonë si Homerin dhe Aleksandrin e Madh, jo për të ngritur kulla iluzionesh, por për të riafirmuar se historia jonë është vjedhur, heshtur e tjetërësuar, dhe se është detyrë e çdo mendjeje të lirë të kujtojë se ne nuk jemi pa rrënjë, se toka jonë nuk është vetëm vend i të mbjellave, por edhe i të lavdishmëve.

Kush e njeh Dibrën, e di se kjo trevë është shkollë krenarie. Këtu Skënderbeu shpartalloi osmanët në Vajkal, këtu u betuan me shpata në dorë heronjtë e të gjitha kohëve, këtu Mustafa Shehu i Zerqanit iu përgjigj Sulltanit me majat e maleve dhe me fjalët që nuk pranojnë nënshtrim.

Në këtë tokë janë derdhur lot, por asnjëherë nuk është derdhur turp.

Kjo është Dibra që nxori dijetarë e patriotë, si Hoxhë Hasan Muglica, i cili u martirizua nga dora serbe sepse nuk pranoi të tjetërsonte atdheun.

Kjo është Dibra që lindi penë të mprehta, si Selim Alliu, Ahmet Kamberri, Haki Stermilli, Rakip Sinani, dhe që vazhdon të japë kontribut në çdo fushë – nga kultura në sport, nga shkrimi në kërkimin shkencor.

Nëse kemi sot emra që na bëjnë krenarë si Gjetan Keta dhe Luiza Gega, kjo ndodh sepse rrënjët janë të thella dhe të forta – janë rrënjë që nuk i shkul as koha, as harresa.

Të dashur miq,

Nuk jam këtu për t’u mburrur. Jam këtu për të dhënë një dëshmi përkushtimi. Sepse ajo që unë kam bërë e vazhdoj të bëj – qoftë si poet, si studiues apo si publicist – është vetëm një shërbim i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm ndaj vendit tim.

Dua ta përmbyll këtë fjalë me një falënderim të veçantë për Shoqatën “Bulqiza”, që po bën një punë të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë, si dhe për Profesor Bashkim Lamin, i cili me përkushtim të rrallë ka krijuar ura bashkimi, nxitje dhe vlerësimi për të gjithë ata që duan me zemër këtë vend.

Sinqerisht ndihem i vlerësuar. Respekte pa fund!

________________________________________

Nëse historia jonë është plagosur, ne kemi detyrën ta shërojmë me fjalë, me kujtesë dhe me dashuri.

Dhe në këtë rrugë, ju më keni bërë të ndjej se nuk jam i vetëm.

Faleminderit!

Zoti e bekoftë Dibrën, Bulqizën dhe çdo zemër që rreh për këtë tokë!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular