Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, është shprehur se PD në situatën që është sot, nuk mund t’i afrohet kurrë pushtetit.
Komentet Çollaku i bëri në “Ditarin Qëndror” nga gazetarja Loneta Progni në A2 CNN, ku tha se PD sot ka nevojë për një rikonceptim dhe reformim të thellë.
Ai tha gjithashtu se votat që ka marrë në zgjedhjet e 11 majit PD janë vota personale të Sali Berishës, teksa shtoi se askush tjetër nuk ka bërë diçka që do t’i shtonte më shumë vota kësaj force politike.
“Unë mendoj se sot çdo demokrat duhet ta lexojë qartë realitetin. PD në këto kushte që është sot, sa herë të përsëriten votimet, nuk ka asnjë shans që t’i qaset pushtetit. PD ka nevojë për një reformim të thellë, që nuk lidhet vetëm me ndryshim emrash, drejtuesish, por duhet ta rikonceptojmë, të gjejmë atë konceptin e parë, themeltar të PD-së.
PD duhet të kthehet në një parti të hapur, që te kritika gjen oksigjenin, civilitetin, energjinë. PD duhet të braktisë modelin e një partie ku kritikët konsiderohen armiq dhe tradhtarë. PD duhet të lexojë realitetin. Votat opozitare ndahen në 3 blloqe. 400-500 mijë janë vota mbështetëse të Sali Berishës. Askush nuk bëri asgjë të siguronte më tepër se këto vota të Berishës.
A mjaftojnë këto vota që PD të vijë në pushtet? Jo nuk mjaftojnë. Mungojnë rreth 200 mijë që nuk kanë votuar dhe rreth 130 mijë që kanë votuar partitë e reja. Formula që do të bëjë bashkë këto kontigjente votash, do të jetë formula që do e sjellë PD në pushtet”, tha Çollaku, shkruan A2 CNN.