Policia spanjolle ka zbuluar dhe goditur një rrjet të madh kriminal me bazë shqiptare, të përfshirë në trafikim të qenieve njerëzore dhe prodhim të dokumenteve të falsifikuara, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar që është shtrirë në disa vende të Bashkimit Evropian dhe jashtë tij, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në kuadër të këtij operacioni, u kryen gjithsej 47 kontrolle, njëra në Tarragona të Spanjës dhe të tjerat njëkohësisht në territorin shqiptar, ku përfunduan në pranga 26 persona. Gjithashtu, në Kosovë u çmontua një laborator që prodhonte dokumente false për përdorim kriminal.
Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, rrjeti ishte i specializuar jo vetëm në trafikim të emigrantëve të paligjshëm, por edhe në shpërndarje dokumentesh false për organizata të përfshira në grabitje, trafik armësh dhe narkotikësh.
Operacioni është pjesë e fazës së shtatë të një hetimi të nisur që prej vitit 2019. Deri më tani, autoritetet kanë shpërbërë disa celula shqiptare dhe kosovare, duke arrestuar gjithsej 82 persona në vende të ndryshme të Evropës.
Hetimet nisën kur autoritetet spanjolle vunë re një rritje të përdorimit të pasaportave të falsifikuara nga shtetas shqiptarë që përpiqeshin të shkonin drejt Irlandës, Britanisë së Madhe apo SHBA-së, duke përdorur Spanjën si pikë tranziti.
Në këtë kuadër u krijua një Ekip i Përbashkët Hetimor ndërmjet policisë spanjolle dhe asaj shqiptare, me mbështetje nga EUROPOL dhe EUROJUST, për të ndjekur dhe goditur strukturat kriminale.
Sipas hetimeve, pjesëtarë të rrjetit udhëtonin rregullisht nga Shqipëria drejt Spanjës nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë, duke transportuar emigrantë në furgonë drejt Barcelonës dhe Tarragonës. Në këto udhëtime, ata fshihnin gjithashtu drogë, armë, municione dhe bizhuteri të vjedhura.
Pasi mbërrinin në destinacion, emigrantët pajiseshin me dokumente false që i lejonin të udhëtonin më tej drejt Mbretërisë së Bashkuar apo Irlandës. Një nga skemat që përdornin për të shmangur kontrollet kufitare përfshinte fluturime nga Spanja në vende jashtë BE-së që nuk kërkonin viza, për të përdorur më pas dokumentet e tyre të rregullta për të kaluar kontrollin automatik të pasaportave.
Autoritetet theksojnë se disa nga anëtarët e grupit ishin të rrezikshëm, pasi ishin përfshirë më parë në shkëmbime zjarri gjatë pazareve të drogës me banda rivale. Në një rast, atyre iu sekuestruan 13 armë zjarri, 3,000 fishekë dhe mbi 160 bizhuteri të vjedhura, si dhe pajisje për ndërprerjen e sinjalit të celularëve.
Rrjeti kishte lidhje edhe me banda që merren me kultivimin e kanabisit në Katalonjë, një aktivitet ku në vitet e fundit janë arrestuar dhjetëra shqiptarë.
Operacioni kërkoi bashkëpunim të ngushtë ndërmjet forcave të rendit në Spanjë dhe Shqipëri për të ndjekur dhe identifikuar të dyshuarit. Disa nga oficerët spanjollë u dërguan në Shqipëri për të marrë pjesë në arrestime dhe kontrollin e banesave.
Ky grup kriminal kishte degë aktive në vende si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Kanadaja dhe Gjermania. Vetëm në Gjermani, gjatë 2023–2024, janë arrestuar 77 shqiptarë për falsifikim dokumentesh në aeroporte. Ndërkohë, në Spanjë, në të njëjtën periudhë, janë arrestuar 274 shqiptarë për përpjekje të ngjashme në aeroportet Barajas dhe El Prat.