HomeKultureSakip Cami: Gazetari ushtarak që u burgos për  fjalën e lirë

Sakip Cami: Gazetari ushtarak që u burgos për  fjalën e lirë

  • Bajram Hyseni, gazetari ushtarak që u burgos për  fjalën  e  lirë 
  • -Gazetari ushtarak që përcolli direkt kronikat e luftimeve në provokacionet e gushtit 1949
  • -Gazetari që ia tha të vërtetat në sy Enver Hoxhës
  • -Poeti që  vuajti  në burg  së bashku me poetët Jorgo Bllaci dhe Pano Taçi.

Nga Sakip Cam
Lindur më 29 janar 1929 në fshatin Laçej, Çidhën, Dibër. Mbaruar Internatin e Kastriotit të Dibrës me mësues të gjuhës dhe të letërsisë shqipe shkrimtarin partizan Qamil Guranjaku. Ishte ai që zbuloi talentin letrar të Bajramit, ishte ai që e rradhiti Bajramin në rreshtat partizane që në moshën 15 vjeç.

 

Gjeneral Rrahman Parllaku me Bajram Hysenin
Gjeneral Rrahman Parllaku me Bajram Hysenin

Në Konferencën e Tiranës në vitin 1956, pas diskutimeve kur u erdhi rradha pyetjeve, u ngrit ish partizani, ushtaraku dhe gazetari Bajram Hyseni dhe i drejtoi dy  pyetje Enver Hoxhës:

“A është e drejtë që të akuzohet familja e Murat Kaloshit për vënie në shërbim të Ballit Kombëtar dhe që i paska sjellë dëme të mëdha luftës në Dibër?

Si shpjegohet që të akuzohet për këtë gjë Murat Kaloshi, kur ai në atë kohë nuk ka qenë fare në Shqipëri pasi ka qenë larguar që në 1939-ën së bashku me Mbretin Zog, e nuk është kthyer më kurrë?”

Duke qenë një nga familjet më të njohura të asaj zone, babanë e Bajramit, Hysen Kovaçin, për 14-vjet me rradhë fshati e kishte zgjedhur si kryeplak.

Nga viti 1943 së bashku me Zenel  Zhukën e Elmaz Përgjegjën formuan organizatën e Rinisë Antifashiste të rrethit të Dibrës.

Më pas u inkuadrua në Batalionin partizan Dibër-Martanesh që komandohej nga Qemal Beluli, me të cilin  mori pjesë në luftimet për çlirimin e Tiranës.

Më 2 shkurtin e vitit 1945 u pranua si antar i Partisë Komuniste dhe u caktua si oficer në repartin e Ndërlidhjes ku kryente detyrën e Përgjegjësit të Rinisë.

Bajrami shërbeu si ushtarak dhe si korespondent shtypi nga fronti i luftimeve gjatë Provokacioneve të Gushtit 1949.

Pasi punoi për disa kohë në repartin e ndërlidhjes, Bajram Hysenin e transferuan për në Divizionin e Korçës duke e caktuar si radist personal të Beqir Ballukut, komandantit të atij divizioni.

Filloi të shkruante  poezi, tregime e reportazhe, të cilat i dërgonte me postë dhe me korrier  ushtarak nga Korça dhe i botonte në gazetën “Luftëtari”,  ku kryeredaktor ishte ish-mësuesi i tij, Qamil Guranjaku.

Shkrimet e Bajramit u pritën mirë dhe që nga ajo kohë ai  u bë korrespodent i rregullt i asaj gazete.

Aty nga vera e vitit 1949 kur filluan Provokacionet e Gushtit në kufirin me Greqinë, Bajrami  u dërgua  në frontin e luftës,  ku përveç shërbimit që bënte  si radist, mbante shënime në bllok për atë çfarë  ndodhte aty.

Ato shënime me anë të korrierit i dërgonte në Tiranë dhe ato botoheshin jo vetëm nga gazeta “Luftëtari”,  por edhe nga “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” etj.

Kështu ai ishte gazetari i vetëm që përcolli në shtyp të gjitha ngjarjet e betejat që u zhvilluan ndërmjet forcave të ushtrisë sonë dhe atyre greke.

Në vitin 1952 transferohet në Tiranë dhe emërohet në redaksinë e gazetës ” Luftëtari” , ku punoi deri në vitin 1956, kur ndodhën ngjarjet e Konferencës së Partisë së Tiranës, ku ai mori pjesë si gazetar.

Në atë kohë Bajrami kishte botuar shumë libra, ndër ta edhe novelën e famshme “”Sllavjanka”, e cila u botua në 14 gjuhë të botës. Kjo novelë u quajt nga  specialistët e partisë në letërsi dhe në ushtri si nostalgji për vajzat ruse dhe për Rusinë , me të cilën Partia e Punës së Shqipërisë dhe Enver Hoxha tashmë ishin ndarë përfundimisht.

 Në një mbledhje sqaruese për Konferencën e Tiranës, në Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë, ku merrte pjesë edhe Enver Hoxha me Rita Markon, kur u erdhi rradha e pyetjeve, u ngrit dhe i tha Enver Hoxhës:

”A është e drejtë të akuzohet familja e Murat Kaloshit, për  vënie në shërbim të Ballit Kombëtar dhe që i paska sjellë dëme të mëdha  luftës në Dibër ?

Si është e mundur të akuzohet për këtë gjë Murat Kaloshi, kur ai në atë kohë nuk ka qenë fare në Shqipëri pasi ka qenë larguar që në 1939-ën së bashku me Zogun e nuk është  kthyer  më kurrë?

Si shpjegohet që për shkak të luftës me forcat e Halil Alisë u dogjën katërqind shtëpi në Çidhën dhe u pushkatuan me gjyq e pa gjyq rreth 100 persona dhe familjet e tyre edhe sot konsiderohen si armiq ?

Pas pyetjeve të tij, Enver Hoxha u përgjigj: “Për Kaloshët m’i kanë dhënë faktet gabim, prandaj të korigjohet.

Përsa i përket shtëpive të djegura e të vrarëve në Çidhën do të pyes Haxhi Lleshin se sa është shifra e vërtetë, por sido që të jetë  kemi urdhëruar që fshtatarëve të mos u regjistrohet armiqësi në biografinë e tyre”.

Servilët e Enver Hoxhës dhe sigurimsat e regjistruan Bajram Hysenin si armik të pushtetit popullor, për këto pyetje që bëri.

Pasi punoi disa kohë në Gjirokastër, Bajramin e transferuan përsëri për në Tiranë dhe i dhanë një apartament ngjitur me bllokun e udhëheqjes. Në atë kohë ai filloi të botonte shumë artikuj, tregime dhe poezi në të gjithë organet e shtypit duke u bërë një emër mjaft i njohur. Krahas punës Bajrami mbaroi edhe fakultetin Histori-Filologji  e botoi edhe dy libra artistikë.

Por ajo karrierë e shkëlqyer që kishte nisur, nuk ishte thënë të vazhdonte gjatë, sepse në vitin 1962 kur ai nuk ishte më shumë se 33-vjeç, u nxuarr në lirim.

Mbas dy vjetësh  kur punoja si Sekretar  Kolegjumi në revistën “Në shërbim të popullit”, natën e vitit të ri 1963, shefi i kuadrit të Ministrisë  e njoftoi Bajramin se kishte  dalë në lirim,  pa i thënë asnjë lloj motivacioni.

Pas kësaj Bajramin e  çuan si përgjegjës tek konviktet e Institutit të Arteve ku nuk punoi më shumë se gjashtë muaj.

Më 22 gusht të vitit 1964 ndërsa ishte duke kaluar afër Korpusit Qëndror të Universitetit, arrestohet. Pas 11 muaj hetuesie  ku e akuzonin se kishte shkruar poezi kundër  realizmit socialist e  dënuan me 5-vjet burg së bashku me dy poetët Jorgo Bllaci dhe Pano Taçi.

Pasi u lirua nga burgu më 17 nëntor të vitit 1968, Bajram Hysenin e sistemuan në punë si përgjegjës të puntorëve të Parkut Kombëtar të Tiranës.

Ndërsa nuk kishin kaluar më shumë se tre vjet nga dita e lirimit, më 10 qershor 1971 Bajrami u arrestua përsëri.

Një ditë më parë,  sapo kishte  mbaruar së shkruari romanin “Notarët e lumejve të nëndheshëm” dhe arrestimi  dukej se ishte i planifikuar që të bëhej sa të mbaronte  atë libër.

Pak kohë më parë kishin  arrestuar dhe vëllanë  e tij, Isufin, që kishte qenë kapiten i parë i aviacionit. Po kështu ishin dënuar  edhe xhaxhai Osman Kovaçi  dhe djali  i xhaxhait  tjetër Mahmut Staf  Kovaçi  që vuajtën  të dy  20 vjet burg politik.

Pas arrestimit  sigurimsat i  bastisën  shtëpinë duke i sekuestruar  të gjithë bibliotekën,  shumë e pasur  që kishte.  Ndërkaq gruan me tre fëmijët, ia  internuan në fshatin Vrap të Malësisë së Tiranës.

Gjatë hetuesisë  i  kërkonin të pranonte  se nëpërmjet një nëndetëseje që kishte ardhur në Vaun e Dejës, ai  kishte  marrë udhëzime sekrete nga agjenturat e huaja, për t’ia dhënë Gjeneral  Dali Ndreut. Bajrami  i tha  hetuesit se ajo akuzë ishte krejt qesharake, pasi nëndetësja nuk futej dot nëpër Drin dhe se Dali Ndreu ishte pushkatuar që në vitin 1957.  Hetuesi  i  tha se ajo gjë nuk ishte fort problem, se datat rregulloheshin, por kryesorja ishte që të pranonte  akuzat që i  bëheshin, për të ndihmuar  partinë.

Ngaqë nuk i duroi  torturat,  më 10 korrik 1971 tentoi  të bënte  vetëvrasje duke i rënë një hekuri me kokë, por pa shkaktuar vdekjen.

Gjyqi u bë në qytetin e Peshkopisë dhe zgjati pesë ditë me rradhë. Edhe pse nuk pranoi asnjë akuzë, u dënua me 25-vjet burg, ndërsa vëllai i tij, Isufi, u dënua me 18 vjet.

Ndërsa Bajrami me gjithë të vëllanë Isufin, vuanin dënimin në burgjet e regjimit komunist, bashkëshortja e tij, Ifete Krasniqi, me tre fëmijët, Dashamirin,  Arbenin e Teutën punonin në punët më të rënda në koperativën bujqësore të fshatit Vrap të Tiranës, nën survejimin e vazhdueshëm të Sigurimit.

Katër vjet pas dënimit të Bajramit, Sigurimi i shtetit në vitin 1975 arrestoi edhe djalin e tij të madh, Dashamirin, i cili vazhdonte vitin e katërt të Liceut Artistik  për  pikturë. Gjatë hetuesisë atë e torturuan barbarisht dhe i kërkonin të pranonte se kishte dashur të hidhte në erë Komitetin Qëndror, në shenjë hakmarrje për dënimin e babait. Gjykata i dha dënim 20 vjet burg.

Bajrami me vëllanë e tij Isufin dhe djalin Dashamirin, qëndruan në burgjet e Burrelit, Spaçit, Shën-Vasisë etj deri në prillin e vitit 1991 kur u liruan me kontigjentin e fundit të dënuarve politikë.

Pas vitit 1991 Bajrami militoi në OBVL (Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar) dhe bashkëpunoi me gazetat “Veterani”, “Ushtria dhe Koha”, “Liria” “Rilindja Demokratike”, “Kosova”, “Dibra” etj.

Krijimet e tij në poezi, prozë dhe publicistikë i përmblodhi në librin “Vepra letrare” (kolanë).

Botime të hershme të tij para vitit 1960 janë libri “Flaka” dhe novela “Kodra e Kuqe”.

Nga botimet e pas vitit 1991 vecojmë: “Ky duhan i shkretë” botuar te Gazeta “Liria” kushtuar shokëve të burgut, Hodo Sokolit; Pjetër Arbnorit; Pal Mark Dedës; Uran Kalakullës; Kurt Kolës; Dom Nikoll Mazrekut; Luan Burimit, Irfan Vrionit dhe të gjithë shokëve të tjerë.

“Mirdita, karrakoll i trimërisë”, “Nusja e Flamurit”, baladë kushtuar studentëve të Kosovës të vitit 1981, botuar te Gazeta “Kosova”, Gurra e Lotëve”, 12 nuset e Kosovës”, “Kanga e cucave”, “ 1000 duvakët e kuq”, “Ujvara e mallit, “Vrasja e Kosovës” etj.

Shkolla 9 vjeçare e vendlindjes së tij, fshatit Laçe mban emrin e tij dhe ka në bibliotekën e saj të gjithë krijimtarinë e Bajram Hysenit. .

Jetëshkrimi;

Ushtarak, gazetar dhe shkrimtar,

I dënuar me 24 vjet heqje lirie nga diktatura komuniste.

1945-1949 oficer në Korçë

Gazetar  te gazeta “Luftëtari” 1949-1956

Sekretar Kolegjumi te Revista “Në shërbim të Popullit” 1956

Burimet:

1. Intervista  të Bajram Hysenit dhënë  gazetarëve Dashnor Kaloci,  Shaqir Skarra,    Dukagjin Hata, Aida Malaj  botuar në gazetat  periodike , “Gazeta Shqiptare”, “Panorama”, “Ballkan”, Dita” .

2. Fatos Daci, Gazeta  Dibra, prill 2000,  “Penda “rebele” e disidentit Bajram Hyseni “

3.  “ 20 vjet OBVL “ 2014, faqe 263

4. Rrahman  Parllaku  “Kujtime për shokët”

5. Mexhit Prenci, Zhvarroset tregimi i Bajram Hysenit : Nga arkivat e zeza të diktaturës

Gazeta  55  “Nr. 252, 21 tetor, 2002, f.18

6. Fondi i Bibliotekës Kombëtare (Hyseni Bajram)

6. Shtypi ushtarak 1949-1956

7. Azem Teta, piktor, muzikant, nipi i Bajramit, tregime gojore

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular