Dokumentet arkivore që po publikojmë në këtë shkrim, të cilat i përkasin periudhës kohore; dhjetor 1948-qershor 1949 dhe shohin dritën e botimit për herë të parë, janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe fondi i ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë. Ato parqesin një nga momentet më të rëndësishme dhe dramatike gjithashtu, të historisë së Shqipërisë komuniste: procesin politik, dënimin dhe ekzekutimin e gjeneral-leitnant Koçi Xoxes, një nga figurat kryesore në hierarkinë e Partisë Komuniste që nga periudha e Luftës, i cili mbante postet më kryesore pas Enver Hoxhës, si; anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar politik i Partisë Komuniste të Shqipërisë, zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, etj.. Goditja ndaj tij filloi në fundin e vitit 1948 dhe u bë publikisht në Kongresin e Parë të PKSH-së, ku ai u akuzua për “trockizëm” dhe “veprimtari kundërrevolucionare”. Si rezultat, pas disa ditësh ai u arrestua dhe pas një procesi hetimor që zgjati disa muaj, në marsin e vitit 1949, doli para gjyqit që e dënoi me vdekje me pushkatim.
Ndërsa të gjitha këto e të tjera për figurën e Koci Xoxes, tashmë janë të njohura, pasi janë bërë publike para dhe pas viteve ’90-të, dokumentet që po publikojmë në këtë shkrim, dëshmojnë përpjekjet e fundit të Xoxes, për të shpëtuar jetën, dhe vendimin e pamëshirshëm të regjimit komunist, pas së cilit ishte vetë Enver Hoxha, për të eliminuar një nga kundërshtarët më të mundshëm të tij, që ai e shihte si rival kryesor në përpjekjet për të ruajtur kreun e Partisë dhe të shtetit që Hoxha drejtonte zyrtarisht, që nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944.
Në dokumentet në fjalë që po publikojmë në këtë shkrim, krahas akuzave formale kundër Koci Xoxes si; “karrierist, trockist dhe arrivist” dhe kërkesa për të paraqitur para “gjyqit të popullit”, të cilat “vinin” me telegram nga Gjykata e Gjerë e rrethit të Korçës, na sjellin dhe reflektojnë retorikën e asaj kohe, (ku fjalët “armik i popullit” kishin filluar të përdoreshin dendur), do shohim edhe korrespodencën ndërmjet Gjykatës së Lartë, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Ministrisë së Drejtësisë, të cilat i kërkonin zyrtarisht njëra tjetrës, mos faljen e jetës së Koci Xoxes.
Të gjitha këto vijnë pas një apeli emocionues drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku Xoxe mes të tjerash kujton edhe kontributin e tij në Luftën Nacional-Çlirimtare dhe kërkon mëshirë, për shkak të familjes, bashkëshortes dhe gjashtë fëmijëve të vegjël, ku më i madhi ishte vetëm 12 vjeç.
Por siç dihet tashmë, asgjë nga këto nuk do të merrej parasysh dhe vendimi për dënimin e tij me vdekje, nuk do vihej në diskutim, nga asnjë prej atyre tre “kolonave” ku mbahej shteti komunist. Ajo që vihet re në këto dokumente (të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet përkatëse), letra e Koci Xoxes drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës mban datën 10 qershor, kurse të gjitha dokumentet e tjera, duke filluar nga; relacioni i ministrit të Drejtësisë Manol Konomi, dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, relacioni i Gjykatës së lartë, dërguar Ministrisë së Drejtësisë, relacioni i sekretarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Sami Baholli, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit Popullor, ku u muar në shqyrtim kërkesa e Koci Xoxes për faljen e jetës, vendimi i atij Presidiumi me refuzimin për faljen e jetës së tij, si dhe proces-verbali i datës së ekzekutimit të Koci Xoxes. Pra, të gjitha këto mbajnë datën 11 qershor 1949, çka praktikisht është e pamundur edhe për arsye kohe fizike, të mbaheshin të gjitha këto mbledhje, gjë e cila hedh dyshime, se ato janë formuluar ditë më pas.
Kështu, ekzekutimi i tij më 11 qershor 1949, (thuhet se u pushkatua diku në periferi të Tiranës, në një vend ndërmjet ish-Shkollës së Qenëve dhe Varrezave të Tufinës) shënoi fillimin e një serie spastrimesh në elitën komuniste, e cila zgjati afro 40 vite dhe përfundoi me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha, në mesin e viteve ’80-të.
LETRA E SEKRETARIT TË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, SAMI BAHOLLI, DËRGUAR MINISTRISË SË DREJTËSISË, ME KËRKESËN PËR MOS FALJEN E JETËS TË DËNUARIT KOCI XOXE
KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË
PRESIDIUMI
Seksioni teknik
Ministrisë së Drejtësisë
(Dega e Administratës)
Tiranë
Në lidhje me shkresën T’uaj Nr. 488. Rez, dt. 11.6.1949.
Ju njoftojmë se Kryesia e Presidiumit të Kuvendit Popullor, në mbledhjen me datë 11 Qershor 1949, vendosi të REFUZOJË kërkesën e të dënuarit me vdekje, Koci Xoxe, që kërkon t’i falet dënimi kapital, dhënë me vendimin e Gjykatës së Lartë.
Sekretari i Presidiumit
Sami Baholli
DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË KRYESISË SË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, DT. 11 QERSHOR 1949, KU MERRET NË SHQYRTIM KËRKESA E KOCI XOXES, QË KËRKONTE FALJEN E JETËS
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
PROCES-VERBAL
I mbledhjes Nr. 249 së Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor të R.P. të Shqipërisë, mbajtur më 11 Qershor 1949, ditë e shtunë në Tiranë.
Ndodhen pranë Zz.: Dr. Omer Nishani, Gjen. Major, Myslym Peza, Gjen. Major, Bedri Spahiu, dhe Sami Baholli.
Mbledhja fillon në orën 10.00.
Z. Kryetar hapi mbledhjen dhe fton Sekretarin të këndojë proces-verbalin e mbledhjes Nr. 448, dt. 7-6-949.
Proces-verbali i kënduar, pranohet pa asnjë vërejtje.
Pastaj kryetari propozon këtë;
REND DITE
I. Shqyrtimi i lutjes për faljen e dënimit me vdekje të Koci Xoxes.
II. Shqyrtimi i lutjes për faljen e dënimit me vdekje të Ded Kadri Kola.
- Merret në shqyrtim lutja e Koci Xoxes që kërkon t’i falet dënimi me vdekje, dhënë me vendimin datë 10.6.’49, të Gjykatës së Lartë, përcjellë me shkresën Nr. 448, Rez. datë 11.6.’49, të Ministrisë së Drejtësisë. Kryesia e Presidiumit, duke marrë parasysh gravitetin e fajeve të konsumuara prej të dënuarit Koci Xoxe, dhe rrezikshmërinë shoqërore të tij, pasi pa dhe mendimin e Ministrisë së Drejtësisë, që shfaqet në disfavor të akordimit të faljes, vendosi të REFUZOHET kërkesa e Koci Xoxes, që kërkon t’i falet dënimi me vdekje, dhënë me vendimin e lartpërmendur të Gjykatës së Lartë.
- Merret në shqyrtim kërkesa e ish-rreshter Ded Kadri Kola, nga katundi Gjon-Pepaj i Tropojës, që kërkon t’i falet dënimi me vdekje, dhënë me vendimin Nr. 60, dt. 30.4.’49, të Gjykatës Ushtarake Tiranës, për organizimin e një grupi të vogël ushtarësh, me qëllim që të dezertonin dhe të arratiseshin për në Jugosllavi, përcjellë me shkresën Nr. A1 – 267/1, dt. 6.5.’49, të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.
Presidiumi i Kuvendit Popullor
Proces-verbal Nr. 249, dt. 11.6.’49
II
Kryesia e Presidiumit, duke marrë parasysh moshën e re dhe papjekurinë politike të të dënuarit, pasi pa edhe mendimin e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, që shfaqet në favor të faljes, vendosi që të dënuarit Ded Kadri Kola, t’i FALET dënimi me vdekje, duke iu kthyer në privim lirie përjetë.
Pasi nuk mbeti pikë tjetër nga rendi i ditës, Z. Kryetari shpalli mbylljen e mbledhjes në orën 10.30.
Tiranë, më 11 Qershor 1949
KRYESIA E KUVENDIT POPULLOR
TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË
Sekretari N/Kryetari N/Kryetari
Sami Baholli G.M. Bedri Spahiu G.M. Myslym Peza
Kryetari
Dr. Omer Nishani
DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E VENDIMIT TË KRYESISË SË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, DT. 11 QERSHOR 1949, KU REFUZOHET KËRKESA E KOCI XOXES, PËR FALJEN E JETËS
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
SHKURTIM PROCES-VERBALI
Nxjerrë nga proces-verbali i mbledhjes Nr. 249, në Kryesinë e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të R.P. të Shqipërisë, mbajtur më datë 11 Qershor 1949.
Kryesia e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, në mbledhjen Nr, 449, datë 11 Qershor 1949, vendosi:
I. Të refuzohet kërkesa e Koci Xoxes, për faljen e dënimit me vdekje.
II. T’i falet dënimi me vdekje, Ded Kadri Kolës, duke iu kthyer në privim lirie për jetë.
Tiranë, më 11 Qershor 1949.
Për Kryesinë e Presidiumit të Kuvendit Popullor
të Republikës Popullore të Shqipërisë
Sekretari Kryetari
Samoi Baholli Dr. Omer Nishani
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E EKZEKUTIMIT ME PUSHKATIM TË KOCI XOXES, E FIRMOSUR NGA PROKURORI BEDRI SPAHIU, I DËRGUARI I DEGËS SË BRENDSHME TË TIRANËS, HALIM XHELO DHE MJEKU IBRAHIM DERVISHI
PROCES-VERBAL
I mbajtur sot më datë 11.VI.1949, ora 23:15 mbi ekzekutimin e dënimit me vdekje, të dhënë nga Gjykata e Lartë, Koçi Xoxes.
Ekzekutimi i të dënuarit u krye në prezencë të akuzës publike shokut Bedri Spahiu, duke qenë i asistuar prej sekretarit Kozma Toçi, të deleguarit të Degës së Brendshme të Tiranës, Major Halim Xhelos si dhe prej mjekut, Nënkolonel shokut Ibrahim Dervishit.
Në datën dhe orën e shënuar, në krye të këtij procesi, u suall i dënuari në vendin e ekzekutimit. Prokurori, shoku Bedri Spahiu, i bëri edhe një herë të ditur të dënuarit se kërkesa për falje qe refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe e pyeti nëse ishte takuar me familjarët e tij. I dënuari u përgjigj se po, ishte takuar me familjarët e tij.
“Në këtë moment”, – tha Prokurori, – “je sjellë këtu për të vënë në zbatim vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Lartë. Prandaj thuaj nëse ke gjë për të thënë ose porosi për të lënë, si vullnet të fundit”.
I dënuari Koçi Xoxe përgjigjet se: “Nuk kam gjë për të thënë. Familjen e takova”!
Prokurori i kujtoi edhe një herë nëse kishte ndonjë porosi për të lënë dhe i dënuari përgjigjet: Nuk kam gjë, të rrojë Partia, Republika, Bashkimi dhe Stalini. Mua më gjykoi dhe më dënoi Bedri Spahiu”!
Prokurori Bedri Spahiu tha: “Partia dhe Republika jonë do të rrojnë e lulëzojnë dhe kjo jo për vullnetin tënd”.
Në këtë çast, pikërisht në orën 23:15, përfaqësuesi i Akuzës Publike urdhëroi të kryhej ekzekutimi me pushkatim.
Pas qëllesave të togës së pushkatimit, u porosit mjeku, shoku Ibrahim Dervishi, i cili ekzaminoi trupin e të dënuarit dhe konstatoi se në vijim të qëllesave (gjuajtjeve me armë) të togës së pushkatimit, ka vdekur.
Pastaj, u urdhërua të kryhej varrimi i kufomës, pasi familjarët nuk kishin shfaqur ndonjë dëshirë për ta marrë atë, (kufomën).
Konform nenit 8 të Ligjit “Mbi ekzekutimin e dënimeve”, u mbajt ky proces-verbal, një kopje e të cilit i dërgohet Gjykatës së Lartë për t’u bashkuar me aktet.
Tiranë, më 11.VI.1949, ora 23:15 / Memorie.al Nga Dashnor Kaloçi
Mjeku Përfaqësuesi i DPB Tiranë
Ibrahim Dervishi Halim Xhelo
Sekretari Përfaqësues i akuzës Bedri
Kozma Toçi Bedri Spahiu