Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shtyrë deri të martën me datë 24 qershor afatin për nisjen e procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të BKH.
Shkak është bërë mosdorëzimi i rregullt i dokumentacionit për fazën e parë i 11 kandidatëve nga 13 në total. Vetëm 2 prej tyre rezulton se kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e duhur.
Ndër emrat më të njohur që synojnë kreun e Byrose Kombëtare të hetimet janë ish-kryepolicët Haki Çako dhe Gledis Nano, zv.drejtori aktual i BKH, Joni Keta dhe prokurori Andi Pogaçe.
Sipas rregullores, do të ndiqen 6 hapa për emërimin e kreut të BKH-së, të cilat janë verifikimi i aplikimit, vizita mjekësore dhe testi për aftësitë fizike, ese me shkrim dhe test për arsyetim logjik, testi i poligrafit dhe intervista në panel, verifikimi i figurës dhe pasurisë, identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe emërimi.
Tek pika e fundit parashikohet dhe përzgjedhja e katër kandidatëve më potencialë, që i dërgohen drejtuesit të SPAK. Altin Dumani do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare dhe emri i kandidatit të përzgjedhur i paraqitet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për miratimin e mandatit 5-vjeçar.
Aktualisht Byroja Kombëtare e Hetimit drejtohet nga Aida Hajnaj, e cila i përfundon mandati më 31 gusht. Ajo nuk arriti të dorëzonte dokumentacionin brenda afatit të aplikimit.
Kandidatët për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit:
- Gledis Nano
- Haki Çako
- Artur Beu
- Gentian Ndoi
- Gentjan Shehaj
- Joni Keta
- Elton Kërluku
- Andi Pogaçe
- Astrit Halilaj
- Marinela Pilinçi
- Nevrus Ndregjoni
- Maoricio Sheldija
- Miklovan Kanani