Ish-Presidenti Bamir Topi vlerëson se aktorët kryesorë të politikës shqiptare, përfshirë Edi Ramën dhe Sali Berishën, janë të vetëdijshëm për sistemin dhe rregullat që përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Në një intervistë, Topi theksoi se Berisha e ka pranuar realitetin e pamundësisë së një fitoreje ndaj Ramës në sistemin aktual.
“Nuk ka gjë më të keqe për një njeri që përfaqëson 500 mijë votues, siç ndodhi me Sali Berishën në zgjedhjet e fundit,” tha ai, duke nënvizuar se kjo është një shifër e jashtëzakonshme në kushtet e popullsisë së Shqipërisë.
Sipas tij, opozita mori një humbje në total, por vetë Berisha arriti një fitore personale.
Bamir Topi: Mendoj që ata që merren me politikë nuk kanë asnjë ndryshim në perceptimin e situatës. Nuk është se unë bëj përjashtim nga ata që janë në lojë. Ata e dinë shumë mirë, kanë ndërtuar një sistem dhe ca rregulla loje që të çojnë në këtë lloj rezultati. Kur them ata e dinë, e di Edi Rama dhe Sali Berisha. Nuk ka gjë më të keqe për një njeri që përfaqëson 500 mijë njerëz. Së paku në votimet e fundit u dëshmua që Berisha me koalicionin përfaqëson 500 mijë votues. Është një shifër e jashtëzakonshme në kushtet e popullsisë së Shqipërisë. Nuk ka gjë më të keqe kur ti i fut këta njerëz në një lloj sugjestioni, që ejani ne betejë se ne do të fitojmë. Ka pasur deklarata të qarta që lidheshin me sigurinë e votës, me programin që do ti çojë drejt fitores, me mbështëtjen ndërkombëtare. Pra nga e gjithë kjo retorikë politike opozita mori një humbje, por vetë Sali Berisha mori një fitore. Berisha e dinte shumë mirë që fitore me Ramën përballë nuk mund të realizojë. Kështu siç është ndërtuar sistemi nuk mund të realizohet. Por ajo ka marrë përsipër dy gjera, ka ndërtuar sistemin bashkë me Ramën dhe është rikthyer në krye të opozitës për ti dhënë shpresë për rotacion politik.
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen aktuale të opozitës, duke e përshkruar atë si një strukturë pa shpresë dhe pa vizion. Në një interviste ne emisionin “Log.” në News24, Topi tha se ndjen shqetësim pikërisht sepse ende mban shpresë për ndryshim, ndërsa në kampin opozitar kjo shpresë, sipas tij, është shuar plotësisht.
“Opozita nuk ka më as shpresë për të ëndërruar. Përfytyroni si amplifikohet kjo gjendje tek 500 mijë qytetarët që e kanë mbështetur. Janë pa shpresë,” u shpreh Topi.
Ai kritikoi fort edhe gjendjen e elitës politike të Partisë Demokratike, duke thënë se nuk vjen më si rezultat i një votëbesimi të brendshëm dhe se ka mungesë të figurave me koherencë dhe akses publik.
Bamir Topi: Jam i shqetësuar sepse ende kam shpresë. Në opozitë nuk ka më shqetësim sepse nuk ka shpresë. Ky lloj shqetësimi është në PS, një pjesë dëshiron të bëjë karrierë. Kemi një opozitë që s’ka shpresë as për të ëndërruar. Përfytyro si amplifikohet tek njerëzit që e kanë mbështetur. Shoh një situatë të mjerë tek opozita dhe nuk jep shpresë për të qëndruar në këmbë, përfytyroni këta 500 mijë që e kanë votuar. Janë pa shpresë
Sistemi është I stërdiskutuar. Shoh probleme tek elita. Nuk vjen si rezultat i një votëbesimi të brendshëm si njëherë e një kohë kur kishte votime, njerëz me akses publik dhe ishin koherentë në qëndrimet e tyre. Unë shoh që ka humbur kredibiliteti në elitën politike të PD.
Në kuadër të ndërtimit të një koalicioni ka ndodhur një absorbim thithje e elitës së partive të tjera. Janë futur një pjesë, nuk janë kryetarët e partive. Këto parti kanë kryetarët jashtë, zëvendësit e tyre janë brenda.
Më thoni është e natyrshme apo është bërë prej hallit. I jap kompliment ustait të politikës, i merr i bën pjesë të koalicionit dhe ata quhen anëtarë të grupit të opozitës.