Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi dje një seancë plenare me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit, përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Projekti EU4Justice dhe Programi OPDAT.
Në fillim të seancës, rendit të ditës iu shtua dhe më pas u miratua propozimi për lejimin e ushtrimit të veprimtarisë jashtë funksionit nga prokurorja Odeta Todorushi. Gjatë seancës, Këshilli miratoi gjithashtu përfundimin e procedimit disiplinor të nisur ndaj ish-magjistrates M.F., pa një vendim përfundimtar.
Në vijim, u miratuan tre caktime të përkohshme në pozicionin e drejtuesit të prokurorive në Shkodër, Berat dhe Elbasan. Në këto detyra u emëruan përkatësisht prokurorët Albert Murçaj, Edina Kurti dhe Kreshnik Ajazi. Po gjatë kësaj seance, Këshilli vendosi edhe riemërimin e prokurores Dhorina Theodhori në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, për një mandat trevjeçar.
Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, u miratua edhe transferimi i prokurorit Arian Xhaferraj në Prokurorinë e Durrësit. Këshilli shqyrtoi dhe miratoi renditjen e kandidatëve për disa pozicione vakante, të shpallura më herët në kuadër të procedurave të ngritjes në detyrë dhe transferimit përmes lëvizjes paralele në disa prokurori të vendit.
Konkretisht, u miratua renditja e kandidatëve për pozicionin vakant nr. 2 në Prokurorinë e Durrësit, si dhe listat e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për vendet vakante nr. 1, nr. 2 dhe nr. 3 në Prokurorinë e Përgjithshme. Po ashtu, u miratuan renditjet për pozicionet vakante në Prokurorinë e Tiranës (nr. 3, nr. 6 dhe nr. 9), në Prokurorinë e Durrësit (pozicioni nr. 4), në Prokurorinë e Elbasanit (pozicionet nr. 1 dhe nr. 5), në Prokurorinë e Shkodrës (pozicionet nr. 1 dhe nr. 2), si dhe për një pozicion vakant në Prokurorinë e Fierit.
Në përmbyllje të seancës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi përfundimisht edhe kërkesën për ushtrimin e veprimtarisë jashtë funksionit nga ana e prokurores Odeta Todorushi.