Biznesmeni Jared Kushner ndodhet për një vizitë në Vlorë, teksa është shoqëruar nga bashkëshortja tij, vajza e Donald Trump, Ivanka Trump.
Çifti ka vizituar ishullin e Sazanit, ku aktualisht është në fazë planifikimi ndërtimi i një resorti luksoz.
Në fotografinë e realizuar në bregdetin e Vlorës, çifti shfaqet në praninë e një prej kuzhinierëve në Vlorë.
Projekti, me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh në 8 për qind të ishullit.
Komiteti i Investimeve Strategjike i dha statusin investitor strategjik kompanisë së lidhur me Jared Kushner për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit.
Vendimi u mor më 30 dhjetor, duke pranuar propozimin e kompanisë “Atlantic Incubation Partners LLC”, ku sipas vendimit, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë.
Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit 2024.
Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner “Affinity Partners”, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.
Në vendim theksohet se statusi jepet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në tri faza.