Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të rrëzojë kërkesën e PD-së për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në qarqet e Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Elbasanit.
Tashmë i hapet rruga certifikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Ndërkohë ai ka certifikuar përfundimisht rezultatet për tetë qarqet e tjera.
Tirana, Fieri, Durrësi dhe Elbasani janë qarqet e fundit të mbetura, kjo për shkak të rinumërimit. Kujtojmë se me kërkesë të opozitës, zgjati plot tre javë. Me rihapjen e kutive, Partia Demokratike humbi më shumë vota nga ç’kishte marrë më 11 maj.
Lëvizjet e votave në Tiranë, për anëtarët e KAS ishin si rezultat i gabimeve njerëzore gjatë raundit të parë të rinumërimit, ndërsa për qarkun e Fierit u vu re një fenomen shqetësues, ai i tjetërsimit të votave brenda kandidatëve. Ndërsa për Durrësin dhe Elbasanin nuk u hapën të gjitha kutitë, por vetëm një pjesë e tyre.
Anëtarët e KAS ngritën dyshime edhe për krime zgjedhore nga numëruesit. Pavarësisht disa ndryshimeve, përbërja e Parlamentit të ri qëndroi e “paprekur”
KAS ka rrëzuar edhe kërkesën ankimore të PD-ASHM lidhur me pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Elbasanit.
Përmes vendimit të sotëm, KAS bëri me dije se nuk do të ketë rinumërim për këtë qark.
Ndërkohë pak ditë më parë përfundoi rinumërimi i votave për qarqe si Fieri, Durrësi, Tirana, Kukësi por pa ndryshime sinjifikative në rezultatin e 11 majit.







