HomeKulture"Romani i Arben Çejkut një protestë diplomatike", Shefqet Meko: "Kandidati për Kandidat”...

“Romani i Arben Çejkut një protestë diplomatike”, Shefqet Meko: “Kandidati për Kandidat” një ironi therëse ku shohim “sistemin lakuriq”

Advertismentspot_img

Shefqet Meko
Saktësisht, 12 vjet më parë, Arben Ҁejku do botonte romanin  e parë “Dymbëdhjetë”, një himn dashurie për vëllain e ikur  shumë herët nga kjo jetë, që e “ngjall virtualisht” dhe të shëtit në kthina dashurie njerëzore, plot ndjenjë e befasi. Ish-ambasadori  pikërisht  në ritmikën  biblike të numrit që  titulloi romanin e parë, vjen me librin satirë “Kandidati për Kandidat”. Midis këtyre dy krijimtarive  letrare, sipas mendimit tim, mbetet si pishtar libri-doktoratë “Sovraniteti versus Integritet”. Romani “Kandidati për Kandidat” është një   vepër  artistike e Arben Ҁejkut, që na fut në “tunelet” e nëndheshme të politikës së sotme partiake

Ky është  besoj ndër  romanet e parë  të kësaj natyre që depërton në “kapilarët venozë” të partive që janë kopje e shëmtuar e  monizmit që përmbysëm duke na bërë  na bërë “të qajmë e të qeshim”. Ndërsa vjet, shkrimtari Marash Mirashi, pas shkëlqimit në  disa vëllime poetike, me  romanin  e parë “Brirët” tallej me pushtetin dhe autoritarizmin që  “e rrëzon një e pickuar”, Arben Ҁejku, përmes “kanalesh diplomatike”  depërton në “paraushtarakët” që synojnë  pushtetin dhe na “luan mendsh”. Autori, një mendje e ndritur e brezit të vet, një “engjërvi intelektuale” do ta quaja unë, pas një vëzhgimi të gjatë “pas kuintave” të politikës dhe zhurmës “shanse për të gjithë”, pas dëshmive dhe befasive me “listat e kryetarit”, ka vendosur të rrëfehet në një prozë të gjatë, duke  të rrëmbyer me përshkrimet, dialogjet, interesat, kurthet dhe karakteret deri tek “Udhëheqësit historikë”. Lexon  “K…për K…” të Arben Ҁejkut, dhe shëtit me ankth  në skutat e politikës së njëshit, zhurmën e kafeneve,  kupton intrigat, interesat meskine, pazaret e pista, presionet, intrigat, dyfytyrësitë politike, shkelmimin cubjan të parimeve  dhe  mezi merr frymë…Në fakt romani në fjalë, nuk ka shumë fantazi  apo përfytyrime letrare, ai  është një “ekspozitë karakteresh” që i njohim të gjithë: I kemi parë në podiume, konferenca, konventa politike, ekrane, mitingje…Për dekada na kanë bërë “forma edukimi” për principet dhe normat e demokracisë dhe lirisë për të gjithë, për shanset  e barabarta dhe konkurrencën e ideve. Të tillët janë bërë “ameba publike”  që na janë pështirosur.

Lexon romanin-satirë “K…për  K…” dhe futesh në një “kataklizmi politike” duke qeshur. Arben  Ҁejku që ka pasion të fshehtë edhe pikturën, besoj se  pasi ka hedhur në telajon e vet karakteret  e këtij romani, nuk është kënaqur dhe ka thënë “Le të rrëfej me fjalë”. Me një gjuhë të pastër, artikuluar qartë, me një shqipe moderne, të pasur, të begatë e të saktë, të ngjyrshme dhe pa “atavizma dialektikore” Ҁejku, na ofron “bisedime diplomatike” në heshtje dhe nënqeshje. Aq diplomatik është romani në fjalë, sa ti beson deri në fund, se “Kandidati për Kandidat” do triumfojë. “Po” i thua vetes gjatë leximit. KPK jam unë. Je ti. Ata, Ato… Dy personazhet ëndërrimtare dhe utopistë KPK… dhe Moza, bëhen “mblesë” të një  rrëfimi  grotesk, ku   shfaqet së pari ajo sedër intelektuale, ai besim  i sinqertë se është koha “të fitojë e mira”, dhe dy “ish-simpati” rinie në ndjenja të dikurshme,  duan t’i ngjiten “Dajtit më këmbë”. Ata të dy besojnë se “është koha” është “rastësia e domosdoshme”, por në fund të dy mbeten  “me gisht në gojë”, sepse, “lere se ‘çthuhet për konsum”, fati i çdo kandidati është dhe mbetet në  dorë të kryetarit, në sirtarët e errëta të “pushtuesve politikë”.

Autori  na përshkruan mjeshtërisht një Tomorr “të lartë”, por me “këmbët në bataqe”, në kthina të pista të korrupsioni, interesa dhe  allishverishe një kryetar “që survejon çdo gjë”, këdo, kush hyn e del në seli,  qeshi apo “shau nëpër dhëmbë” në hapat e parë apo tha “rroftë partia dhe  kryetari”. Hija e kryetari është si një mallkim e fat në selinë e partisë sidomos për KPK.Ish-ambasadori na “pikturon” në prozë një “Baba-Tomorr”, një kult i ngritur në kthina zyrash, në intriga “palosur në sirtarë”, në “interesa të firmosura” në bodrumet e errëta të post-komunizmit, që është e pamundur të mposhtet, duke mbetur si dikur  pllakatet: “Monument kulture, ruhet nga shteti”.  Kjo është arsyeja që autori këtë radhë ka zgjedhur talljen, satirën dhe “nudon publike”.

“Kandidati për Kandidat” është një hero kryesor në roman, që  nuk ke një emër, por ai ka familje, miq, profesion, arritje, ambicie dhe ëndërrime. Kandidati  është njeriu i zot që me sa duket nuk kalon dot “kaluçin e partisë”. Ai mbetet deri  në fund të romanit KPK,mbas të cilit sikur është një ushtri e  tërë idealistësh që në çdo cikël  zgjedhjesh besojnë së “është radha e tyre”, koha për ndryshim, koha për fitore, por që nuk vjen kurrë duke  mbetur “as prapa liste” si ilariteti i  personazhit parodik Lipe  Shtogu. I ndërtuar në një fabul të thjeshtë, që të rrëmben duke menduar se “ja di fundin” dhe “garon” me fantazinë e autorit, duke përfunduar në “majë kodrash” nën ankthin e një telefonate si bejtexhiu me “Në ato maja rripa-rripa…” KPK nuk provon asgjë nga ato që priste dhe krejt dëshpërueshëm  fajëson vjehrrin që nuk duroi të vdiste “pas votimeve”.

Pas dymbëdhjetë vitesh nga romani  i parë “Dymbëdhjetë”, Arben Ҁejku ka lënë pas shpine fantazitë virtuale,  duke na bërë të qeshim me politikën e sotme, e  cila nëse deri dje ishte me  një  “Mihal Bishë” të tmerrshëm në krye  të “Partisë në udhëheqje”, sot ata janë shtuar në sa e sa të tillë që “mbajnë dosje në sirtarë”  e nën sqetulla,  me sytë në korridore e veshët tek telefoni . Autori sikur lëshon një lëngim: dosjet janë gjallë. Me dosje mbahet partia, pushteti, liria dhe demokracia… “Pa dosje nuk ka parti”. Në fakt ky është “filli që i shkon tej për tej romani të dytë të Ҁejkut fjalëmençur,

 Libri do ngjallë interes tek qarqet libradashëse edhe për faktin e thjeshtë  se me gjuhë popullore KPK është një krijimtari “Me të qeshur, me të ngjeshur”, sepse siç ka thënë edhe politikani legjendë e politikës Amerikane,  Lincoln “qesh sepse nuk dua të qaj”. Në fund të fundit le të besojmë se sikur  është shënuar  qysh në lashtësi nga filozofët grekë, “e qeshura më e kënaqshme është me shpenzime të armiqve tanë”. KPK  e Ҁejkut është një “kambanë” që duhet të bjerë çdo ditë tek qarqet politike dhe shoqërinë civile që ëndërrojnë “qarkullimin e elitave qeverisëse”. Mesazhi mes rreshtave  i  romanit “Kandidati për kandidat”,  është më i trishtë, sepse  siç kuptohet, “krerët kanë ujdira” ndërsa idealistët mbeten rrugëve me “telefon tek veshi” me sytë nga ekranet ndërkohë  bari “përtërihet çdo pranverë”…

Arben Ҁejku është shfaqur në publik si vlerë shqiptare me rrënjë kuksiane, dhe mbetet një krenari për miqtë e vet, dashamirësit dhe shoqërinë. Përurimi i librit të tij në Akademinë e Shkencave, ishte një  spektakël emocional e po aq intelektual. Autori edhe kur hesht, duket se ka përcjellë një “notë diplomatike” që nuk i dihet destinacioni. Jo më kot heroi i romanit të dytë mbetet një “i pa emër”. Le t’u gëzohemi librave që nxisin debatin si “Kandidati për Kandidat”.

Minneapolis, 25 Qershor 2025

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular