HomeEkonomiBashkitë, sportele ndihmëse për aplikimet në e-Albania - Balluku: Zyrat që marrin...

Bashkitë, sportele ndihmëse për aplikimet në e-Albania – Balluku: Zyrat që marrin pagesë, në shkelje totale të ligjit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zëvendëskryeministrja e vendit, Belinda Balluku, zhvilloi sot një vizitë në Bashkinë e Lushnjës, ku inspektoi nga afër sportelet e dedikuara për asistencë ndaj qytetarëve në përdorimin e portalit e-Albania. E shoqëruar nga kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa, Balluku theksoi rëndësinë e këtij shërbimi, veçanërisht për shtresat më të ndjeshme të popullsisë.

“Siç jeni të gjithë në dijeni, ka nisur një inspektim në të gjitha bashkitë e vendit. E kemi nisur nga qendrat e qarqeve, por siç e thotë shpesh edhe Kryeministri, Lushnja për ne ka po aq rëndësi sa çdo bashki tjetër, përfshirë Fierin,” – u shpreh ministrja.

Në ambientet e Bashkisë është vendosur tashmë një sportel ndihmës, ku qytetarët mund të asistohen në kryerjen e aplikimeve online për dokumente të ndryshme, si certifikata, vërtetime pensioni apo edhe dokumente pronësie. Sipas përfaqësuesve lokalë, më së shumti janë pensionistët ata që kërkojnë ndihmë, për shkak të pamundësisë për të përdorur pajisje teknologjike.

Balluku vlerësoi trajnimet e punonjësve të bashkisë dhe tha se ky model do të zgjerohet në të gjitha njësitë administrative, jo vetëm në qendrën urbane:
“Në qytet është ngritur vetëm një sportel, por tashmë të gjitha njësitë rurale e kanë këtë shërbim. Jemi në proces zgjerimi në të gjithë territorin, që askush të mos mbetet pa ndihmë.”

Gjatë inspektimit, Balluku ngriti shqetësimin për abuzimet e konstatuara në treg, ku disa zyra private, përfshirë zyra avokatie, ofrojnë kundrejt pagesës ndihmë për përdorimin e portalit shtetëror.

“Fatkeqësisht kemi identifikuar raste ku ofrohet me pagesë ndihma për aplikime në e-Albania. Dua të jem e qartë: kjo është tërësisht e paligjshme. Ky është një projekt për të cilin jemi krenarë si qeveri. Është falas, i aksesueshëm për të gjithë qytetarët që kanë kodin e tyre personal. Çdo zyrë që kërkon pagesë për këtë lloj ndihme është në shkelje të ligjit. Ministria e Drejtësisë dhe strukturat përkatëse janë duke ndjekur nga afër këtë problem dhe do të vendosin rend ndaj këtij abuzimi,” – theksoi Balluku.

Ajo shtoi gjithashtu se në mbështetje të personave që kanë vështirësi teknologjike, kryesisht të moshuarve, është kërkuar ndihma e kryetarëve të bashkive dhe njësive administrative, duke u mundësuar punonjësve që të kombinojnë detyrat e tyre me ofrimin e ndihmës për e-Albania.

Në përmbyllje, ministrja theksoi se qëllimi i kësaj nisme është që qytetarët të kuptojnë se nuk i detyrohen askujt asnjë pagesë për shërbimet digjitale dhe se bashkitë janë përgjegjëse për ofrimin falas të asistencës teknologjike. Vizitat inspektuese pritet të vijojnë edhe në bashkitë e tjera të vendit në ditët në vijim.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular