Brezi i ri nga 16 deri në 29 vjeç e ka çuar Shqipërinë në top 4 vendet në Europë për përdorimin e përditshëm të internetit, duke lundruar kryesisht në rrjetet sociale.
Sipas të dhënave nga Agjencia Europiane e Statistikave, gjatë vitit të kaluar, 97.46% e kësaj grupmoshe përdorën internetin çdo ditë. Vetëm në Çeki, Qipro dhe Greqi, ka më shumë të rinj të varur nga interneti sesa në Shqipëri.
Megjithatë, kjo varësi nga interneti nuk përkthehet në zhvillim të njohurive tek këta të rinj. Në mënyrë paradoksale, sipas të dhënave, vetëm 51% e të rinjve zotërojnë njohuri bazë të aftësive digjitale. Në krahasim me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian, Shqipëria ndodhet shumë poshtë, me një diferencë që arrin në gati 20 përqind.
Kjo renditje mbështetet edhe nga të dhënat e Barometrit të Ballkanit, sipas të cilit Shqipëria ka përdorim më të lartë të Facebook-ut se mesatarja e rajonit, me 62.5% kundrejt 46%.
Gjithashtu, përdorimi aktiv i TikTok-ut në Shqipëri është më i lartë, me 63.4% të qytetarëve, ndërsa përdorimi i Instagram-it është gjithashtu mbi mesataren rajonale, me 41.8%.
Edhe numri i përdoruesve shqiptarë në rrjetet sociale qëndron në nivele shumë të larta. Vetëm në rrjetin social më të madh, Facebook, numërohen rreth 1.86 milionë përdorues, në një vend me popullsi prej rreth 2.4 milionë banorësh.