Kandidatët për drejtimin e BKH-së duhet të paraqiten në SPAK më 22 Korrik për fazën tjetër të testimit.
Prokuroria e Posaçme ka njoftuar 7 kandidatët që të paraqiten në orën 09:00 në zyrat qendrore organit të akuzës për fazën tjetër të konkurrimit, ku do t’i nënshtrohen provimit me ese që zgjat 60 minuta dhe testit llogjik, 45 minuta.
Ndërkohë kandidatët janë njoftuar edhe për fazën pasuese, e cila do të zhvillohet me testin e poligrafit.
Për postin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit aplikuan gjithsej 13 kandidatë.
Por vetëm 7 prej tyre u kualifikuan për të vazhduar konkurrimin për fazat e tjera të procesit.
Kandidatët në garë janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Ndërkohë u skualifikuan: Astrit Halilaj, Haki Çako, Maoricio Sheldija, Marinela Pilinçi, Miklovan Kanani dhe Nevrus Ndregjoni.
Procesi i përzgjedhjes zhvillohet në bazë të nenit 148/dh të Kushtetutës dhe ligjit për organizimin e institucioneve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Fazat e ardhshme përfshijnë testime të mëtejshme profesionale dhe vlerësime të integritetit.