HomeKronikeShefi i komisariatit të Delvinës u dogj nga flakët gjatë aksionit për...

Shefi i komisariatit të Delvinës u dogj nga flakët gjatë aksionit për shuarjen e zjarrit, vizitohet nga Proda dhe Begaj në QSUT

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, viziton në repartin e djegieve në QSUT Shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie të shumta gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar që nuk dilnin dot nga zona e zjarrit në fshatin Vergo të Delvinës.

Drejtori Proda është interesuar që në momentet e para për gjendjen e tij dhe ka ndjekur nga afër organizimin e transportimit me helikopter drejt Tiranës, menjëherë sapo është njoftuar për ngjarjen.

Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm është interesuar pranë stafit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Shefit të Komisariatit, duke i uruar atij shërim të shpejtë dhe e ka përgëzuar për aktin e tij të guximshëm dhe human.

Po ashtu, ai ka vlerësuar të gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që sot kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar nga flakët shumë banorë pjesa më e madhe të moshuar, në fshatrat e Delvinës, si pasojë e një zjarri të madh të favorizuar nga era, që ka përfshirë shumë zona të banuara.

Nga QSUT, Proda vlerësoi punën e shefit të komisariatit Agim Troci, si shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit.

“Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve.

Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë Nënkomisar Eridionin, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që, nën drejtimin e Komisar Trocit, me përkushtim dhe guxim, mbështetur dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, duke bërë të mundur evakuimin nga banesat e tyre deri jashtë zonës së rrezikut.

Edhe disa punonjës të tjerë kanë pësuar. Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës”, tha Proda.

Në zonën e përfshirë nga zjarri, në fshatrat Senicë, Vergo dhe Kopaçëz, vijon ndërhyrja intensive e shërbimeve të Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë, për neutralizimin e vatrave dhe garantimin e sigurisë së banorëve.

Policia e Shtetit ndodhet aty, në krah të qytetarëve. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, ndodhet në zonë për menaxhimin e situatës.

Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat me bimësi të dendur dhe në ato të ekspozuara ndaj zjarreve. Çdo veprim i pakujdesshëm, si ndezja e zjarrit në natyrë, hedhja e cigareve apo djegia e mbeturinave, mund të sjellë pasoja të rënda për jetën dhe mjedisin.

Policia po bashkëpunon me banorët dhe gjithë instancat e tjera shtetërore për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e zjarrvënieve në disa rrethe të vendit, ku në disa raste janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi mbrëmjen e sotme në urgjencën e QSUT-së shefin e Komisariatit të Delvinës, komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie në bark, krah dhe këmbë gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri në zonën e Senicës, Delvinë.

Presidenti vlerësoi aktin e guximshëm dhe përkushtimin e komisar Trocit dhe dha një mesazh ndërgjegjësues për qytetarët:

“Vlerësoj maksimalisht angazhimin e forcave zjarrfikëse, emergjencave civile, forcave të armatosura dhe pushtetit vendor në përballimin e kësaj situate të vështirë me temperatura shumë të larta.

Ftoj qytetarët të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi – parandalimi fillon nga secili prej nesh. Bashkëpunimi dhe kontributi me këto struktura është thelbësor për sigurinë e jetës dhe të pronës.

Çdo akt zjarrvënieje është i dënueshëm dhe sjell pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë.”

Presidenti Begaj theksoi se institucionet janë në gatishmëri të plotë dhe të pranishme në të gjitha zonat më problematike të vendit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular