Pushteti vendor ka arkëtuar më shumë të ardhura nga taksa e ndërtesës në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se 61 bashkitë në vend kanë mbledhur afro 4.7 miliardë lekë apo 47 milionë euro, me një rritje progresive nga viti në vit, duke bërë që të arrihet shifra më e lartë e dekadës së fundit për këtë periudhë. Në raport me vitin 2015, të ardhurat nga kjo taksë janë dyfishuar.
Ndërsa, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2024, taksa mbi ndërtesat ka furnizuar njësitë e vetëqeverisjes vendore, rezulton të jetë me rritje në masën 3.3%.
Nevoja për më shumë të ardhura dhe domosdoshmëria për të shlyer stokun e detyrimeve të prapambetura, por edhe nevoja për të rritur të ardhurat, i ka detyruar bashkitë t’i japin më shumë vëmendje vjeljes së taksës mbi ndërtesat, ndonëse ende nuk ka nisur aplikimi i taksës sipas vlerës së tregut.
Ndikim në këtë perfomancë ka pasur rritja e sipërfaqeve ndërtimore, zhvillimi që ka marrë ky sektor kryesisht në zonat bregdetare si dhe rritja e numrit të transaksioneve. Peshën më të madhe në mbledhjen e kësaj takse e ka Bashkia Tiranë, ndjekur nga bashkitë në zonat bregdetare dhe njësitë e tjera të mëdha.
Qeveria parashikon që të mbledhin afro 20 milionë euro shtesë nga taksa e pasurisë në vitin 2025, të cilat do të gjenerohen për shkak të bërjes funksionale të kadastrës fiskale përgjatë këtij viti, e cila do të shërbejë për mbledhjen më efikase të taksës së ndërtesës.
Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, bazuar në burimet e Agjencisë Shtetërore Kadastrës, vetë deklarimit dhe të dhënave të regjistruara nga bashkitë, numri i njësive pronësore të taksueshme është 797.331 (ku përreth 385.243 njësi pronësore të cilat nuk janë të plota me informacion zbatohen rregullat e prezumimit në mënyrë që të përllogaritet vlera e taksës) si dhe numri i njësive pronësore të kompletuara me informacion rreth 412.088 njësi.
Ligji i ri për taksimin e pasurive të paluajtshme ndërtesa në bazë të vlerës së tregut nis aplikimin nga 1 Janari 2026, ndërsa për parcelat nga viti 2028.