Çmimet e ushqimeve u shtrenjtuan edhe në muajin korrik, duke bërë që inflacioni të rritet në 2.5 për qind, niveli më i lartë që nga shkurti i 2024. INSTAT raporton se në korrikun e një viti më parë inflacioni ishte vetëm 2.1 për qind.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,08 për qind, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,61 për qind.
Krahasuar me muajin korrik 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 7,7%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,4%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2% dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,0%.
Ndërkohë, krahasuar me muajin qershor 2025, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënuan ulje me 1,0%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,4%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Shëndeti” me 0,2% secili.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënuan rritje me 1,2%, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,7%.