Përdorimi i teknologjisë nga të moshuarit mund të ketë një efekt mbrojtës për shëndetin e trurit dhe të reduktojë rrezikun e demencës, sipas një analize të re të botuar në Nature Human Behavior dhe raportuar nga The New York Times.
Studimi, i cili analizoi 57 kërkime me mbi 411 mijë pjesëmarrës mbi moshën 50 vjeç (mosha mesatare 69 vjeç), tregoi se 90% e rasteve kishin lidhje pozitive mes përdorimit të teknologjisë, si kompjuterë, smartphone dhe internet, dhe rezultateve më të mira në testet kognitive.
“Përdorimi i përditshëm i teknologjisë digjitale është shoqëruar me rrezik më të ulët të dëmtimit kognitiv dhe demencës,” tha Michael Scullin, neuroshkencëtar kognitiv në Universitetin Baylor.
Sipas ekspertëve, ndërveprimi me teknologjinë u jep të moshuarve sfida të reja mendore, si mësimi i sistemeve të reja operative, përballja me përditësimet dhe zgjidhja e problemeve, që mund të ndihmojnë ruajtjen e aftësive mendore. Për më tepër, teknologjia mund të forcojë lidhjet sociale dhe të ndihmojë në menaxhimin e aktiviteteve të përditshme, si blerjet apo pagesat online.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se teknologjia nuk është zëvendësim për zakone të tjera të shëndetshme për trurin, si aktiviteti fizik apo ushqyerja e ekuilibruar. Po ashtu, rreziqe si mashtrimet online dhe dezinformimi mbeten shqetësime serioze për këtë grupmoshë.
Një shembull është Wanda Woods, 67 vjeçe, instruktore e programit “Senior Planet” në Denver, e cila përdor chatbot-e me inteligjencë artificiale për të planifikuar udhëtime dhe për të qëndruar aktive në botën digjitale. Për të, teknologjia është një mjet për të “qëndruar në dijeni” dhe për të mos u shkëputur nga bota në ndryshim të shpejtë. TV Klan