Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ka hyrë zyrtarisht në fuqi, duke ofruar mbështetje deri në 50% të vlerës së investimeve për fermerë, agropërpunues, agroturizëm dhe sektorin e akuakulturës.
Përmes ndryshimeve të publikuara në Fletoren Zyrtare, qeveria shqiptare detajon 9 masa të reja mbështetëse që synojnë rritjen e prodhimit vendas, përmirësimin e cilësisë dhe nxitjen e investimeve moderne në sektorin rural.
Siç shkruan ATA, shtesat e reja qartësojnë me shifra konkrete kriteret e aplikimit, afatet dhe sasinë e përfituar për çdo masë mbështetëse.
9 rregullat e reja
1.Fermerët përfitojnë deri në 50% financim për ndërtimin e serrave të reja diellore për perime, luleshtrydhe dhe rrush tavoline, me një mbështetje maksimale prej 15 milionë lekë për hektar për perime, 8 milionë lekë për rrush tavoline dhe 4 milionë lekë për luleshtrydhe, në sipërfaqe që varion nga 0.2 deri në 2 hektarë.
2.Për mbjelljen e pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave, mbështetja është deri në 800,000 lekë për hektar, në një masë financimi 50%, për sipërfaqe nga 0.5 deri në 10 hektarë, ndërsa për instalimin e sistemit të ujitjes me pika jepet një shtesë deri në 250 mijë lekë për hektar.
3.Për vendosjen e rrjetave mbrojtëse kundër breshërit në pemëtore, agrume dhe vreshta ekzistuese, mbështetja është 50% e vlerës së faturave tatimore, deri në 1.5 milionë lekë për hektar, për sipërfaqe nga 1 deri në 5 hektarë.
4.Instalimi i sistemeve të ujitjes me pika në pemëtore, ullishte, agrume dhe vreshta ekzistuese mbështetet deri në 250,000 lekë për hektar, në një nivel financimi prej 50%, për sipërfaqe nga 1 deri në 10 hektarë.
5.Për ndërtimin e ambienteve të reja për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për shpendë, mbështetja financiare shkon deri në 15 milionë lekë për subjekt, me kushte minimale të kapacitetit prej 10 lopësh, 100 krerë të imëta, 10 dosa ose 10 mijë shpendë.
6.Fermerët dhe blegtorët përfitojnë deri në 5 milionë lekë për subjekt për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, me një nivel financimi prej 50%.
7.Subjektet që investojnë në linja apo makineri për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e prodhimeve bujqësore, si frutat, perimet, rrushi, vera, ulliri dhe vaji i ullirit, përfitojnë deri në 7.5 milionë lekë për subjekt, me një financim prej 50% të vlerës së investimit.
8.Për investime në ndërtimin ose zgjerimin e strukturave të agroturizmit, mbështetja arrin deri në 15 milionë lekë për subjekt, me një financim prej 50% të vlerës së faturave tatimore.
9.Në sektorin e akuakulturës detare, për blerjen e koshave dhe rrjetave për rritjen e peshkut, subjektet përfitojnë mbështetje deri në 15 milionë lekë, gjithashtu në një masë financimi prej 50%.
Kush mund të përfitojë?
Përfituesit mund të jenë: fermerë individual, subjekte me status fizik ose juridic ose shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB).
Aplikantët duhet të:
-Mos kenë detyrime ndaj AZHBR, MBZHR apo tatimeve
-Kenë tokën në pronësi ose me qira/huapërdorje për të paktën 5 vjet
-Kenë lejen përkatëse të ndërtimit (kur kërkohet)
-Kenë përmbushur detyrimet e sigurimeve shoqërore (për fermerët)
Afati i aplikimit është nga data 30 korrik deri më 30 shtator 2025, në orarin zyrtar pranë zyrave të AZHBR-së.
Kriteret konkurruese për masat mbështetëse më sipër parashikojnë një total prej 100 pikësh, të ndara sipas sipërfaqes së serrës, subjektit me status SHBB dhe moshës së aplikantit.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim
-Aplikanti duhet të dorëzojë:
-Formularin e aplikimit
-Plan-biznes 5-vjeçar
-Dokumentet e pronësisë ose kontratën e qirasë
-Lejen e ndërtimit (ku kërkohet)
-Vërtetimin tatimor dhe të sigurimeve
-Ofertat për ndërtim, pajisje dhe makineri
-Dokumentet e identifikimit të ofertuesve (për makineritë dhe ndërtimet)/