Me 13 gusht 2025, festoi 69-vjetorin një nga figurat më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar – Bujar Asqeriu.
Me një karrierë që shtrihet në dekada, ai ka mishëruar role të paharrueshme në teatër dhe kinematografi, duke sjellë në skenë dhe në film emocione të forta, karaktere të ndërlikuara dhe një profesionalizëm të rrallë. Interpretimet e tij kanë mbetur në kujtesën kolektive si shembull i artit të pastër, i pasionit dhe i përkushtimit ndaj publikut.
Gjatë karrierës së tij, Bujar Asqeriu ka dhuruar personazhe që janë bërë pjesë e zemrës së publikut shqiptar. Me mjeshtëri të rrallë ka interpretuar role të paharrueshme si në “Ne shtepine tone”, “ Liri a Vdekje”, “Nje emer midis njerezve”, “Radiostacioni”, “Vëllezër dhe shokë”, “Në Prag të lirisë”.
URIMI I BUJAR LESKAJT
Sot, aktori i madh, Artisti i merituar, Mjeshtri i Madh, Nderi i Kombit, artisti me rolet e të cilit janë rritur e formuar breza të tërë shqiptarësh, miku im i vyer ,Bujar Asqeriu mbush 69 vjeç.
Me një karrierë mbi 50- vjeçare Bujar Asqeriu ka me dhjetëra role shumë të suksesshme në teatër e kinematografi. Në kinematografi ka shkëlqyer me kryerolin e tij, atë të Avni Rustemit, si edhe me dhjetëra role të tjera.
Me zërin e mrekullueshëm dhe me paraqitjen e tij skenike Bujar Asqeriu ka shkëlqyer me trupën e Teatrit Kombëtar edhe në skenën e teatrit Globe në Londër, ku luhen veprat e Shekspirit.
Gjatë gjithë jetës së tij artistike ai është karakterizuar jo vetëm nga talenti, por edhe nga puna, serioziteti, përkushtimi ndaj çdo roli.
Bujar Asqeriu nuk është vetëm një artist, një ikonë në Panteonin e skenës shqiptare, por edhe një intelektual dhe qytetar i devotshëm, që artin, talentin, fjalën, mendimin dhe angazhimin e tij e vuri në shërbim të Shqipërisë.
Bujari Asqeriu është njeri i madh, personalitet me karakter të fortë, që nuk iu nënshtrua asnjëherë pushtetit, por ka qenë në oponencë me të gjitha qeveritë kur ka qenë fjala për artin!
Bujari është artisti model, që i mundi ziliqarët në botën e artit dhe veçanërisht në TK me talent dhe punë, gjithmonë punë e lartë artistike.
I uroj Mjeshtrit dhe Mikut tim të vyer edhe 100 vite të tjera të bukura, të lumtura e gjithmonë në skenë !