Sipas të dhënave të raportuara në Tremujorin III të Politikës Monetare, të përgatitur nga Banka e Shqipërisë, volumi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3,4% në tremujorin e parë, i nxitur nga rritja e konsumit të familjeve, investimeve publike dhe private, si dhe nga zgjerimi i eksporteve të mallrave dhe shërbimeve.
Drejtori i Departamentit të Politikës Monetare, Erald Themeli, evidentoi disa konkluzione kryesore.
“Inflacioni ka pasur një tendencë në rritje në tremujorin e dytë, ku niveli i tij kaloi nga 2 për qind mesatarisht në tremujorin e parë, në 2,3 për qind në tremujorin e dytë”, deklaron Themeli.
Ai theksoi gjithashtu se kushtet monetare dhe financiare mbeten akomoduese.
“Ato kanë mundësuar një rritje solide të aktivitetit kreditues për sektorin privat të ekonomisë. Perspektiva e zhvillimeve ekonomike në vend mbetet pozitive. Parashikojmë dhe projektojmë se rritja ekonomike do të vazhdojë në nivele të ngjashme dhe të krahasueshme brenda një intervali 3,5–4 për qind. Qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e mandatit tonë të stabilitetit të çmimeve”, thotë ai.
Megjithëse perspektiva e ekonomisë vendase mbetet e qëndrueshme, lufta tregtare mund të paraqesë sfida për të ardhmen e ekonomisë shqiptare.
“Rreziqet, kryesisht nga ambienti i jashtëm, mbeten të mëdha”, nënvizon drejtori i Departamentit të Politikës Monetare.
Në këto rrethana, Themeli bëri të ditur se Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2,5%. RTSH