Opinion i publikuar nga Le Monde
Ne, përfaqësues të shoqërisë civile globale, refugjatë politikë, aktivistë demokratë dhe mbrojtës të paqes e të të drejtave të njeriut, u drejtojmë këtë thirrje urgjente liderëve të Evropës dhe botës.
Me shqetësim të thellë po vëzhgojmë takimin e ardhshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, i planifikuar për më 15 gusht në Alaska.
Ne kemi frikë se ky takim mund të prodhojë një marrëveshje taktike afatshkurtër, e cila mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për Ukrainën, Evropën dhe sigurinë ndërkombëtare. Alaska 2025 nuk duhet të bëhet Mynihu 1938, marrëveshja që i hapi rrugë aneksimit të Çekosllovakisë dhe as Jalta 1945, ku tre fuqitë fituese të Luftës së Dytë vendosën fatin e Gjermanisë.
Ne shprehim shqetësimin tonë për mundësinë e një marrëveshjeje që do të legjitimonte pushtimin e paligjshëm rus të territoreve ukrainase dhe ndryshimin me forcë të kufijve të vitit 1991. Po ashtu, kemi frikë nga një lehtësim apo heqje e sanksioneve kundër regjimit të Putinit, që do t’i hapte rrugën rikthimit të tij në forume ndërkombëtare si G7-a, si dhe në ngjarje sportive e kulturore, gjë që do të shërbente vetëm për të legjitimuar diktaturën e tij.
Një tjetër rrezik është presioni i paprecedentë mbi Ukrainën për ta detyruar të pranojë një marrëveshje të imponuar dhe të padrejtë, e mbështetur nga një fushatë ndërkombëtare e Putinit për ta paraqitur si “zgjidhje paqësore”.
U bëjmë thirrje liderëve të kombeve evropiane dhe komunitetit ndërkombëtar të sigurojnë që asnjë marrëveshje të mos bëhet pa pjesëmarrjen dhe pëlqimin e drejtpërdrejtë të Ukrainës dhe Evropës. Nuk duhet njohur apo mbështetur asnjë vendim që legjitimon okupimin e paligjshëm të kryer pas një agresioni brutal nga regjimi i Putinit.
Duhet të ruajmë dhe forcojmë sanksionet ndaj këtij regjimi deri në ndalimin e plotë të agresionit, çlirimin e territoreve të pushtuara, lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe të civilëve e ushtarakëve ukrainas, si dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve.
Po ashtu, Rusia duhet të mbetet e përjashtuar nga organizatat dhe ngjarjet ndërkombëtare derisa të përmbushë detyrimet e saj sipas të drejtës ndërkombëtare.