Në kanionin e Langaricës, në vendin e quajtur “Ura e Dashit”, 14 turistë nga Franca dhe Gjermania mbetën të bllokuar për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme që rritën nivelin e ujit në lumë.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë së Përmetit, në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe autoritetet e zonave të mbrojtura, ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre.
Turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan autoritetet për ndihmën dhe përkushtimin.
Njoftimi i policisë:
Përmet / Punonjësit e Policisë ndihmuan 14 turistë nga Franca dhe Gjermania, që kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës, për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut.
Në vendin e quajtur “Ura e Dashit”, 14 turistë të huaj, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në një pjesë të kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe ato të zonave të mbrojtura, u nisën drejt zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre.
Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata falënderuan shërbimet e Policisë dhe strukturat e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.
Policia e Gjirokastrës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.