Harta e re e çmimeve referencë të pasurive të paluajtshme nuk do të ulë domosdoshmërisht rrezikun e pastrimit të parave, ndërsa mund të ndikojë në shtrenjtimin e apartamenteve veçanërisht në rrethe. Është ky paralajmërimi i Aleancës së Profesionistëve të Lirë në një shkresë drejtuar Ministrisë së Financave ku sugjerojnë gjithashtu që tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes të mos jetë 5 për qind.
“Bazuar në analizën e praktikave të kaluara, një normë tatimore jo më e lartë se 3% mbi ndërtesat dhe tokën e zëna është optimale për: Rritjen e të ardhurave buxhetore përmes zgjerimit të bazës tatimore, uljen e nivelit të informalitetit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe nxitjen e transaksioneve dhe formalizimit të pronësisë. Paralelisht, kërkohet forcimi i mekanizmave të kontrollit mbi burimin e të ardhurave të përdorura në blerjen e pasurive të paluajtshme, për të parandaluar pastrimin e parave dhe për të mbrojtur integritetin e tregut.”
Profesionistët rekomandojnë rishikimin e projektligjit që është hedhur në konsultim publik prej 23 korrikut duke vendosur kritere objektive, të matshme dhe të verifikueshme, si dhe kufizime të qarta për të shmangur arbitraritetin dhe deformimet në treg.
“Legjislacioni aktual mbi tatimin e të ardhurave ka vendosur tashmë një vlerë minimale nën të cilën transaksionet e shitblerjes nuk pranohen. Projektvendimi ndjek të njëjtën qasje duke mos reflektuar rastet e rënies së çmimeve, edhe kur këto përfaqësojnë prirje reale tregu. Një politikë e tillë nxit vetëm prirjet rritëse të çmimeve, duke penguar funksionimin natyral të ofertës dhe kërkesës. Si rrjedhojë, çmimet referencë rrezikojnë të përdoren më shumë si instrument fiskal për rritjen e të ardhurave, sesa si tregues real i tregut.”
Po ashtu Aleanca e Profesionistëve të Lirë propozon ndryshime edhe në skemën e taksimit të banesave.
“Banesa kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi ndërtesat ose të tatohet me një normë simbolike. Fitimi nga shitja e banesës kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital, duke ndjekur modelin e OECD dhe shumicës së vendeve anëtare të BE-së. Për pasuritë e tjera, tatimi mbi fitimin kapital të aplikohet në mënyrë progresive, por i korrigjuar për efektet e inflacionit dhe kostove të justifikuara financiare për të siguruar që tatohet vetëm fitimi real dhe jo vlera e fryrë artificialisht nga tregu ose faktorë makroekonomikë.”
Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. (A2 Televizion)