Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave, kanë miratuar një udhëzim të përbashkët i cili përcakton tarifat dhe mënyrën e përdorimit të tyre për shërbimet e ofruara nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (IKTK). Ky udhëzim, që hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, sjell rregullime të reja lidhur me aplikimet dhe shërbimet e ndryshme.
Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga këto tarifa do të derdhen në buxhetin e shtetit, duke ndjekur përqindje të ndryshme në varësi të llojit të shërbimit. Ndërkohë, organet publike dhe shtetërore, si investitorë ose zhvillues të objekteve publike, përjashtohen nga pagesa e këtyre tarifave, shkruan rtsh.al.
Tarifat për aplikime dhe leje ndërhyrjesh
Aplikimi për leje ndërhyrjesh në pasuri kulturore material. Për të gjitha kategoritë e monumenteve (Kategoria e Parë, Kategoria e Dytë, brenda kufijve të Qendrave Historike, Ansambleve Urbane, Zonave të Mbrojtura, Veprave Arti, Parkeve Arkeologjike, Zonave Arkeologjike “A” dhe “B”), si dhe për shtyrje afati apo ndryshime projekti, tarifa e aplikimit është 10,000 lekë.
Leje për Zhvillime Transformuese në Territor. Tarifa për zhvillime të mëdha si rrugë, aeroporte, qendra banimi etj., do të llogaritet sipas përcaktimeve të VKM-së nr. 428, datë 26.6.2024, me një vlerë prej 100 lekë/m² të sipërfaqes së pronës që do të zhvillohet.
Tarifat për mbikëqyrje dhe vëzhgime arkeologjike
Mbikëqyrje arkeologjike në terren, kostoja është 20,000 lekë/ditë, pagesa duhet të kryhet brenda 10 ditëve nga lëshimi i faturës.
Për vëzhgimin intensiv arkeologjik tarifa varet nga sipërfaqja e projektit, duke filluar nga 50,000 lekë për sipërfaqe deri në 1,000 m², dhe arrin deri në 500,000 lekë për sipërfaqe mbi 25,000 m².
Ndërsa për gërmimin arkeologjik në terren, tarifa është 70,000 lekë/m³ gërmimi. Vëllimi përcaktohet nga IKTK bazuar në projektin dhe sondazhet.
Lidhur me sondazhet arkeologjike, tarifa është 70,000 lekë/m³ sondazhi, dhe vëllimi përcaktohet rast pas rasti. Në rast se nevojiten të tria fazat (vëzhgim, gërmim, sondazh), tarifa do të jetë shuma e tyre.
Tarifat për shërbimet e arkivit teknik
Për kërkesa nga personat privatë, një përgjigje shkresore kushton 2,000 lekë, ndërsa një përgjigje digjitale 1,500 lekë.
Pajisja me një projekt/relacion teknik në format A4 shkresor kushton 2,500 lekë, dhe në formë digjitale 2,000 lekë.
Kurse pajisja me një projekt/relacion teknik në format A3 shkresor kushton 2,700 lekë, dhe në formë digjitale 2,000 lekë.
Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve në restaurim, tarifat do të përcaktohen sipas VKM-së nr. 354, datë 11.5.2016. Të gjitha tarifat do të bëhen publike në faqen zyrtare të Institutit Kombëtar të Trashëgënisë Kulturore.









