Në Programin Qeverisës 2025-2029, qeveria thotë se buxheti është trefishuar, nga 250 milionë euro në vitin 2013 në mbi 760 milionë euro në vitin 2025, duke mundësuar zgjerimin e kapaciteteve spitalore dhe të kujdesit parësor. Janë ndërtuar ose rikonstruktuar 53 spitale e shërbime, mes tyre 10 të reja dhe 43 të rehabilituara, përfshirë Spitalin Memorial të Fierit, si shembull i bashkëpunimit ndërkombëtar. Po ashtu, janë rehabilituar mbi 400 qendra dhe ambulanca, ndërsa fondi i barnave të rimbursueshme është dyfishuar dhe lista është zgjeruar me 200 medikamente të reja, prej të cilëve 210 mijë pensionistë i marrin falas.
Në aspektin e logjistikës dhe burimeve njerëzore, flota e autoambulancave është rritur në 320 mjete moderne, me kohë reagimi deri në 15 minuta në të gjithë territorin. Një tjetër arritje madhore është rritja e pagave: paga mesatare e mjekëve është trefishuar, nga 490 euro në 1,670 euro, ndërsa paga e infermierëve është rritur nga 280 euro në 850 euro.
Në vizionin e shpallur si “destinacion evropian”, qeveria synon një sistem shëndetësor modern, gjithëpërfshirës e efikas, të krahasueshëm me standardet më të avancuara evropiane, ku çdo qytetar të ketë akses në kujdes falas, cilësor dhe në kohë, të mbështetur mbi digjitalizimin, modernizimin e infrastrukturës dhe motivimin e profesionistëve.
Sa u përket punëve përpara në 2025-2029, qeveria synon rindërtimin plotësisht të të gjitha qendrave shëndetësore dhe ambulancave deri në vitin 2029.
Një ndër ambiciet kryesore është transformimi i QSUT “Nënë Tereza” në një qendër ekselence në rajon për trajtimin, edukimin dhe inovacionin mjekësor, nëpërmjet bashkëpunimeve me spitalet më elitare ndërkombëtare dhe po kështu edhe rritja e kapaciteteve spitalore përmes autonomisë financiare të spitaleve, duke u dhënë më shumë hapësirë për investime të dedikuara.
Ndër objektivat janë edhe shëndetësia digjitale, me receta dhe referime elektronike, sisteme të integruara spitalore dhe regjistra kombëtarë, që shërbimi të jetë më i shpejtë, më transparent dhe i harmonizuar me standardet më të avancuara të Bashkimit Europian.
Dokumenti thekson se do të realizohet harmonizimi me mekanizmat evropianë të reagimit ndaj krizave shëndetësore, për një mbrojtje më të mirë ndaj epidemive dhe pandemive.
Qeveria gjithashtu premton se Programi i Kontrollit Shëndetësor Bazë do të vazhdojë të ofrohet falas, ndërkohë për të gjithë pensionistët nuk do të ketë më limit moshe. Për më tepër synohet forcimi i kapaciteteve diagnostikuese për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve kronike.
Sa u përket pagave në shëndetësi, programi synon rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve me 25% deri në vitin 2029 për të ruajtur konkurrueshmërinë./ekofin.al